Policja në Gjilan kishte probleme mendore, mjeku kishte rekomanduar t’i merret arma zyrtare

E publikuar: 18/02/2020 20:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka konfirmuar për “Kohën Ditore” se policja Valdete Bllaca, e cila dyshohet se ka vrarë dy vëllezërit dhe prindërit, ka pasur probleme mendore.

Në një prononcim për gazetën nga ky institucion kanë thënë se ajo për një kohë të gjatë është diagnostikuar me probleme të tilla.

“Mjeku e ka diagnostikuar me probleme mendore. I ka përshkruar terapi dhe e ka rekomanduar Policinë e Kosovës që ta sistemojnë në një pozitë pa uniformë dhe kanë rekomanduar që t’i merret arma”, kanë thënë në Policinë e Kosovës për këtë rast.

Ky institucion zyrtarisht thuhet se ia ka marrë armën zyrtare, por dyshimet janë që vrasjet megjithatë të jenë kryer me armën zyrtare e cila nuk është dashur të jetë në dispozicion të kësaj zyrtareje policore.

Në këtë institucion kanë konfirmuar se asaj për shkak të gjendjes shëndetësore i ishte ndërruar pozita e punës.