Policia: Visar Duriqi në vetëmbrojtje të tre sulmuesit i theri me thikë

E publikuar: 26/02/2021 21:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari, Visar Duriqi është sulmuar të mërkurën mbrëma, në afërsi të banesës së tij në Fushë Kosovë.

Policia ka konfirmuar se Duriqi dyshohet që është sulmuar nga tre persona të maskuar, të cilët e kanë goditur me grushte gazetarin në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore.

Në vetëmbrojtje, Duriqi i ka therë të tre sulmuesit me thikë. Reporteri.net ka arritur që ta shohë raportin e Policisë për rastin e Duriqit, ku konfirmohet se viktima, në vetëmbrojtje të tre sulmuesit i ka therë me thikë në trup.

Tutje mësohet se Policia në kuadër të hetimeve për rastin, është duke verifikuar edhe të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, dhe gjithashtu në Klinikën Emergjente në QKUK për të parë nëse në natën e sulmit ka kërkuar ndihmë ndonjë person që ka pasur plagë të thikës në trup.

Ndryshe, edhe vetë gazetari Duriqi në një paraqitje të mbrëmshme ka konfirmuar se mban me vete një brisk për arsye sigurie, pasi që i njëjti ka thënë se për shkak të punës së tij merr kërcënime të vazhdueshme që nga viti 2014. Duriqi po ashtu ka konfirmuar se të paktën njërin nga sulmuesit e ka therë me thikë.

Sulmi ndaj Duriqit të cilit iu thyen katër dhëmbë u dënua gjerësisht nga përfaqësues politikë, gazetarët dhe Organizatat e Shoqërisë civile.