Policia tregon rrugët më të rrezikshme në Kosovë

E publikuar: 06/07/2019 13:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rritja e fluksit të veturave nëpër rrugët e Kosovës gjatë sezonit të verës ka ndikuar që Policia e Kosovës t’i shtojë masat e sigurisë dhe patrullimin, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Jeton Rexhepi, ka theksuar se është një lajm të mirë, që në gjashtë mujorin e vitit 2019, në krahasim me një vit më parë, janë shënuar më pak aksidente.

Ai ka theksuar se ka një rënie të aksidenteve të gjitha llojeve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shtuar se ka rënie edhe të numrit të aksidenteve me fatalitet.

“Në gjashtëmujorin e vitit 2019, kemi 9 persona me pak të vdekur sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2018. Kemi 378 aksidente me lëndime më pak, 947 persona të lënduar më pak për të njëjtën periudhë të viti. Kemi rënie të aksidenteve me dëme, me 102 raste më pak”, ka shtuar Rexhepi, për Telegrafin.

Ai ka thënë se në bazë të statistikave, rrugët më të rrezikuara për aksidente janë: magjistralja Prishtinë – Podujevë, Prishtinë – Gjilan, rruga e vjetër Prishtinë – Prizren, si dhe me ngarkesë më të madhe është rruga Prishtinë – Vërmicë.

“Rrugët me dy shirita, të cilat njëkohësisht janë edhe të ngarkuara me numër të madh të veturave, paraqiten me mundësi më të madhe për aksidente”, ka shtuar Rexhepi.

Ai ka porositur të gjithë vozitësit, njëkohësisht edhe bashkatdhetarët që vijnë në vendlindje me vetura, të kenë kujdes gjatë vozitjes, dhe ta bëjnë atë që e bëjnë edhe në shtetet ku jetojnë, duke i respektuar kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e tjera të komunikacionit.