Policia tregon për rrjedhën e protestave në komunat serbe

E publikuar: 23/11/2018 15:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestat e mbajtura sot në disa lokacione të ndryshme të vendit si, në Graçanicë, Shtërpcë dhe në disa lokacione në Veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestave.

Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Protestat kanë filluar rreth orës 12:00 dhe kanë përfunduar rreth orës 13:00, përderisa gjatë kësaj periudhe kohore në disa rrugë ku është mbajtur protesta në Veri, qarkullimi i automjeteve ka qenë i ndërprerë përkohësisht.

Vlen të potencohet se protestat kanë qenë të qeta dhe pas shpërndarjes së protestuesve rrugët janë liruar për qarkullim të automjeteve.

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit ka ndërmarr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planifikimeve policore, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike./Infosot/