Policia shkel ligjin, nuk respekton vendimet obliguese të OSHP-së

E publikuar: 13/02/2019 08:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga shtatori i vitit të kaluar Policia e Kosovës nuk ka arritur të lidhë tenderin për pajisjet për verifikimin e dokumenteve.

Një gjë e tillë paradoksalisht ka ndodhur për shkak që Policia e Kosovës në këtë tender nuk i ka verifikuar dokumentet e kompanisë, e që kanë qenë obliguese për të marrë pjesë në këtë tender, shkruan sot Koha Ditore.

Tenderi i shpallur në shtator të vitit të kaluar është përmbyllur fillimisht në dhjetor. OSHP-ja e kishte kthyer në rivlerësim, por sërish Policia e Kosovës pati vepruar njëjtë. Kjo e ka shtyrë OSHP-në që t’i drejtohet me urdhëresë Policisë së Kosovës për të rivendosur për këtë tender.

Megjithatë, pas ankesës se një kompanie tjetër është vërtetuar se autorizimi i një kompanie ndërkombëtare, me të cilin kompania e Kosovës kishte marrë pjesë në tender, nuk ishte origjinal.

Sipas specifikave të tenderit, një nga kriteret ka qenë që autorizimi në Policinë e Kosovës të dorëzohet origjinal ose i skanuar, por i noterizuar. Kompania, që është rekomanduar si fituese nga Policia e Kosovës, këtë dokument as nuk e ka dërguar origjinal, e as të noterizuar. Dokumenti i paraqitur si kopje origjinale, sipas ekspertit të OSHP-së, është dokument i printuar me ngjyrë e i paraqitur si origjinal.