Policia qartëson gjithë ngjarjen e alarmit për bombë në Prishtinë

E publikuar: 24/05/2019 17:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka lëshuar komunikatë lidhur me rastin e sotëm të alarmit për bombë.

Ata kanë treguar se kanë pranuar 3 thirrje telefonike në njërën prej të cilave janë kërcënuar me vendosje të bombës në drejtim të institucioneve të drejtësisë, konkretisht, Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorisë Speciale, shkruan lajmi.net.

Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore duke siguruar vendin e ngjarjes, ka evakuuar personelin dhe kanë kërkuar mbështetjen e njësive të specializuara.

Derisa ende nuk është gjetur personi i dyshuar i cili ka kryer kanosjen me mjet shpërthyer, policia është në kërkim intensiv të të dyshuarit.

Më poshtë e gjeni komunikatën e plotë të policisë.

Sot me datë 24.5.2019 rreth orës 10:30, në zyrën e pranimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë pranuar tri (3) thirrje telefonike. Në këto thirrje telefonike është lajmëruar një person mashkull i cili ka kanosur me vendosje të mjetit shpërthyes në drejtim të institucioneve të drejtësisë konkretisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore duke bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, duke bërë evakuimit e personelit, njoftimin e njësive të specializuara duke përfshirë njësitin e materieve shpërthyese dhe njoftimin e prokurorisë kompetente. Janë kontrolluar të dy ndërtesat, ndërtesa e Këshillit Gjyqësor dhe ndërtesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës.

Nga të gjitha veprimet operative dhe hetimore që ka ndërmarrë Policia e Kosovës, nuk ka rezultuar me të gjetur të ndonjë mjeti të dyshuar, dhe rreth orës 15:00 është liruar vendi i ngjarjes dhe rruga për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Sa i përket identifikimit të personit të dyshuar i cili ka kryer kanosjen me mjet shpërthyes, Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht në identifikimin e personit dhe abonuesit të numrit të telefonit nga i cili është kryer kanosja.

Në vazhdim, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim identifikimin e personit/personave të dyshuar dhe procedimin e tyre para organeve të drejtësisë.