Policia përdori grushte e shqelma ndaj protestuesve, thotë Shala

E publikuar: 29/11/2015 18:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ), Behxhet Shala, deklaroi se për dallim nga përplasjet e tjera mes Policisë dhe protestuesve, ku zakonisht të lënduar kanë mbetur policët, kësaj radhe të dëmtuar kanë mbetur aktivistët e Vetëvendosjes.

Ndërkaq, Shala ka thënë se sipas deklaratave që KMLDNJ ka marrë nga të lënduarit në Emergjencë, shumica e tyre kanë deklaruar se i janë nënshtruar dhunës policore me shqelma e grushte.

“Sipas deklaratave që na kanë dhënë aktivistët e arrestuar ne i kemi kontaktuar diku 44, si dhe 5 të lënduar në Qendrën Emergjente, 49 gjithsej. Ata kanë deklaruar se gjatë arrestimeve ka pasur përdorim të forcës policore qoftë me grushte qoftë me shkelma. Tash policia po arsyetohet se e kanë bërë për vetëmbrojtje në mënyrë që t’i hapin rrugët për arrestimin e Albin Kurtit. Thjesht kjo tash është çështje e organeve policore të Kosovës të shohin në qoftë se ka pasur tejkalim të detyrës zyrtare. Ne si Këshill ftojmë të shikohet çdo akt që ka shkaktuar lëndime të protestuesve dhe sidomos në ato raste kur është përdorur forca pasi ata janë lënduar apo janë prangosur apo pasi janë dërguar në stacionin policor”, tha Shala.

Ai theksoi se i gjithë incidenti ka ndodhur pas tubimit paqësor të opozitës, dhe 99 për qind e të lënduarve kanë qenë aktivistë të Vetëvendosjes.

“Po them se gjatë protestës së fundit e cila ka filluar si paqësore dhe ka përfunduar si paqësore dhe ka eskaluar në selinë e Vetëvendosjes, 99% e atyre qe janë lënduar kanë qenë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Shala për Kosovapress.

Gjatë ditës ka reaguar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), që në kuadër të mandatit për monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në institucionet e ndalimit dhe respektimin e lirisë së tubimit, ka dërguar një komunikatë ku thotë se me 28 nëntor ka vizituar aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje” të arrestuar nga njësitë e policisë së Kosovës në ambientet e stacionit policor në Prishtinë si dhe në Klinikën Emergjente në QKUK.

Ata kanë vlerësuar përfundimisht se veprimet e dhunshme dhe të pamatura të Policisë së Kosovës jo vetëm ndaj aktivistëve që kishin përfunduar të arrestuar, ishin të panevojshme dhe joproporcionale dhe kurrsesi nuk mund të arsyetohen në rrethanat konkrete, transmeton Koha.net.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani i tha KP-së se Policia e Kosovës ka vepruar konformë autorizimeve ligjore, dhe forca e përdorur dje nga Policia e Kosovës, sipas tij ka qenë proporcionale dhe e domosdoshme.

“Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saj i ka realizuar konform autorizimeve ligjore që ka. Forca e përdorur ka qenë forcë proporcionale e nevojshme dhe e domosdoshme”, tha Kelani.