Policia nis një aksion kundër kazinove dhe krimit të organizuar në Karaçevë

E publikuar: 18/09/2020 21:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka ndërmarr një aksion në zonën kufitare të fshatit Karaçevë të Kamenicës, ku dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore është ushtruar trafikim me qenie njerëzore, prostitucion, kontrabandë, organizim i lojërave të fatit dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Për këtë çështje u diskutua shumë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe në seancën ku raportoi ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

KosovaPress ka provuar të marrë informacione shtesë nga zyrtarët për informim në Policinë e Kosovës, por nuk janë lajmëruar.

Ndërsa i kontaktuar nga KosovaPress, përfaqësuesi i banorëve të Karaçevës, Selver Lenjani ka thënë se nuk është në dijeni për një aksion të tillë, pasi që vendi ku pretendohet se po kryhen aksioni është rreth 2 kilometra larg shtëpisë së tij.