Policia ngrit kallëzim penal ndaj Kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj

E publikuar: 18/01/2018 17:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njësia e Hetimeve të Krimeve Ekonomike në Gjakovë në kuadër të Policisë së Kosovës, më 12 janar të këtij viti, ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “cenim i të drejtave në marrëdhënie të punës”.

Kallëzim penal është ngritur edhe ndaj drejtorit të Shëndetësisë në këtë komunë, Hajdin Berisha si dhe ndaj drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr.Shpëtim Robaj”, në Malishevë, Nuhi Morina, të cilët gjithashtu dyshohet se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “cenim i të drejtave në marrëdhënie të punës”, shkruan Lajmi.net.

Sipas këtij kallëzimi penal, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, kreu i Malishevës, dyshohet se ka shkelur ligjin, duke nxjerrë urdhëresë administrative me çka ka anuluar të gjitha procedurat e konkursit në QKMF “Dr.Shpetim Robaj”, në kundërshtim me autorizimet e tij dhe ligjin mbi shërbyesit civil, i cili thotë se kryetari i Komunës nuk ka kompetenca mbi stafin mjekësor, pasi që më 12 janar 2017, ishte nënshkruar kontrata e punës midis Dr.Arben Kryeziu dhe QKMF-së.

Hajdin Berisha, duke u bazuar në urdhëresën e kryetarit Ragip Begaj, e ka anuluar konkursin për pranimin e një mjeku në QKMF edhe pse Arben Kryeziu kishte nënshkruar kontratë pune dhe nuk kishte pranuar asnjë ankesë nga kundër kandidatët në këtë konkurs. Me çka, sipas kallëzimit penal, nuk e ka zbatuar as vendimin e Inspektoratit të Punës, i cili e kishte obliguar që doktorin Kryeziu ta fuste në listën e pagave.

Kurse, drejtori i QKMF-së “Dr. Shpëtim Robaj”, Nuhi Morina, duke u thirrur në urdhëresën administrative të kryetarit të Komunës, e ka larguar nga puna Arben Kryeziun, edhe pse i njëjti kishte nënshkruar kontratë pune valide.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, ka deklaruar se kjo lëndë tashmë i është caktuar prokurorit dhe sipas tij, më pas do të merren veprime nëse ka vepër penale, apo jo në këtë rast.

Paraprakisht, më 24 tetor të vitit të kaluar, kallëzim penal për këtë rast kishte ushtruar edhe mjeku Arben Kryeziu, me rastin e anulimit të konkursit në fjalë.