Policia konfirmon përpjekjen për sulm të eskortës së kryeministrit

E publikuar: 23/09/2015 10:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

[E plotësuar] – Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona të dyshuar kanë tentuar të ndalojnë ose sulmojnë eskortën e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.

Në njoftimin e Policisë thuhet se sot rreth orës 07:58, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, nga njësia policore e Mbrojtjes së Afërt dy personat e dyshuar kanë tentuar të “ndalojnë/sulmojnë” eskortën në lëvizje.

“Njësitë policore kanë intervenuar menjëherë dhe kanë parandaluar veprimin e personave të dyshuar, të cilët gjatë ikjes kanë lënë prapa tri qese të letrës në të cilat ka pasur mjete të forta, copëza metali të cilat shërbejnë për shpuarjen e gomave, si dhe një telefon celular”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Sa i përket lëvizjes se eskortës se Kryeministrit nuk ka pasur asnjë incident dhe e njëjta ka vazhduar lëvizjen pa probleme, ndërsa lidhur me rastin janë duke u kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore”, ka njoftuar PK-ja.


Policia parandalon një sulm ndaj eskortës së kryeministrit

Policia e Kosovës ka identifikuar disa persona të cilët po planifikonin ta sulmonin eskortën e kryeministrit Isa Mustafa.

Në momentin që policia ka kërkuar që të kontrollojë të dyshuarit se çfarë kanë në çantat e tyre, ata i kanë gjuajtur çantat dhe kanë ikur.

Sipas policisë ata po planifikonin që të hidhnin mjete të forta për t’i shpërthyer gomat e veturës së kryeministrit. Ndërkohë burime i kanë thënë KTV-së se në këtë ngjarje janë të përfshirë 5 persona të cilët kanë arritur t’i ikin policisë.

“Patrullat e Policisë që vëzhgon rrugën derisa kalon eskorta e kryeministrit, ka dyshuar në disa persona dhe ka kërkuar t’i legjitimojë, ata kanë rezistuar dhe janë përleshur me policinë duke ikur nga vendi i ngjarjes”, ka thënë burimi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.