Policia jep detaje për arrestimin e deputetit Molliqaj

E publikuar: 13/05/2019 12:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka arrestuar sot deputetin e PSD-së, Dardan Molliqaj.

Përmes një njoftimit për medie, Policia thotë se arrestimi është bërë konform detyrimit ligjor, me urdhër- arrest nga Gjykata Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti i Përgjithshëm.

Sipas Policisë, urdhër-arresti është e nxjerrë me datën 12.05.2019, dhe në të janë specifikuar detyrimet për policinë, që i pandehuri Dardan Molliqaj, të dërgohet në Objektin e Pallatit të Drejtësisë, saktësisht në Prokurorinë Themelore, transmeton Koha.net.

“Aktualisht policia sipas rregullit po kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për të përmbushur plotësisht urdhëresën e gjykatës”, thuhet në njoftimin e tyre.

11:25
Arrestohet deputeti Molliqaj, kishte kërkuar lirimin e Kurtit
Policia e Kosovës ka arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit deputetin Dardan Molliqaj. Ai është arrestuar në banesën e tij dhe nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë, njofton kumtesa nga PSD, transmeton Koha.net .

Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme.

Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj. PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre.