Policia gjermane në kërkim të motiveve – Të vrarë edhe 3 të rinj nga Kosova

E publikuar: 23/07/2016 12:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia gjermane në Mynih ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të ofrojnë video-regjistrime, fotografi apo edhe regjistrime audio që mund t’i kenë bërë gjatë të shtënave të premten në Qendrën tregtare në Mynih.

Nëntë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën, tre nga të cilët në një gjendje të rëndë, në një qendër tregtare, kur një sulmues i vetëm shtiu me armë zjarri, e më vonë vrau veten në afërsi të qendrës, tha policia.

Motivet e veprimeve të të riut gjermano-iranian nuk janë zbardhur ende.

Shefi i policisë, Hubertus Andrae, ju tha gazetarëve se i dyshuari nuk kishte të kaluar kriminale dhe nuk ishte i njohur për policinë më parë.

“Motivet ose arsyet për këtë krim janë plotësisht të paqarta”, tha ai.

Policia bastisi një apartament në fqinjësi të Maxvorstadt, të shtunën në mëngjes, ku sipas njoftimeve të gazetës Bild, i riu kishte jetuar me prindërit e tij.

​MPJ: Tri viktima me origjinë nga Kosova

Në mesin e nëntë viktimave të sulmit, policia gjermane ka konfirmuar edhe tri viktima me origjinë nga Kosova, që të gjithë të moshave të reja.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme e Kosovës përmes një komunikate dërguar mediave, ku thuhet se MPJ është e “tronditur nga sulmi terrorist”.

“MPJ shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe qëndron pranë tyre në këto momente të vështira për ta dhe gjithë komunitetin shqiptar kudo në botë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Ministrisë.

Policia gjermane ka informuar se pasditen e 22 korrikut një 18-vjeçar, nënshtetas gjerman me origjinë nga Irani, ka vrarë nëntë persona në një qendër tregtare në qytetin jugor gjerman.

Ai më pas dyshohet se e ka vrarë veten me pistoletë, ndërsa trupi i tij është gjetur 1 kilometër larg vendit ku e ka kryer sulmin.

Komunikata e MPJ-së së Kosovës nuk konfirmon identitetin e të rinjve nga Kosova të vrarë në Mynih, por siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë, janë familjet e viktimave që e kanë konfirmuar lajmin tragjik.

Naim Zabërgja, me origjinë nga Kosova ka njoftuar të gjithë familjarët dhe miqtë e tij përmes Facebook se, “djali im Dijamant Zabërgja, 21 vjeçar u vra dje në Mynih nga dora terroriste”.

Edhe familjet e dy vajzave shqiptare raportohet se e kanë konfirmuar përmes rrjeteve sociale vrasjen e tyre.

“Armela – Vajza, motra dhe shoqja jonë e dashur ndërroi jetë. Faleminderit për shpresat dhe ndihmën dhe mbështetjen”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Arbnor Segashi.

Në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se MPJ dhe Ambasada e Kosovës “është në dispozicion të familjeve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës të prekur mbrëmë nga kjo ngjarje shokuese dhe e dhimbshme”.

Bota bashkohet me Gjermaninë

Autoritetet e qytetit në Mynih thanë në mëngjesin e 23 korrikut se i kanë dhënë fund edhe gjendjes emergjente, duke iu kërkuar megjithatë kujdes qytetarëve të shqetësuar të Mynihut.

“Në kuadër të kërkimeve tona, ne e kemi gjetur një person që e ka vrarë veten. Personi në fjalë me siguri është sulmuesi, i cili, sipas të dhënave të tashme të hetimeve, ka vepruar i vetëm”, ka thënë policia e qytetit nëpërmjet rrjetit social,“Twitter”.

Personi në fjalë është thënë se është një gjermano – iranian, 18 vjeç, dhe i cili ka qenë banor i Mynihut.

Policia thotë se rreth 100 persona kanë qenë dëshmitarë të sulmit.

Zyrtarët po e hetojnë një çantë të kuqe që është gjetur afër trupit të pajetë të personit që dyshohet se është autor i sulmit për të parë nëse ka eksploziv.

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, e dënoi sulmin dhe tha se “ndjen me ata që janë në terren për të mbrojtur njerëz dhe shpëtuar jetë”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, premtoi mbështetje për Gjermaninë.

“Zotohemi se do të ofrojmë gjithë mbështetjen për të cilën mund të kenë nevojë”, tha Obama dhe shprehu solidaritet me të prekurit nga tragjedia.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan i Shtetit, Elizabeth Trudeau, tha se autoritetet amerikane po punojnë me ato gjermane për të parë nëse ndonjë shtetas amerikan është prekur.

Ministri i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, tha se është i tronditur nga “sulmi i tmerrshëm” dhe “humbja e jetëve”.

“Jemi të gatshëm për të ndihmuar miqtë tanë në Gjermani. Këshilla jonë për shtetasit britanikë në zonë është të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve lokale”, tha Johnson.

Rasti i mbrëmjes së 22 korrikut është rasti i tretë i një sulmi të madh kundër civilëve në Evropën Perëndimore në tetë ditët e fundit.

Përgjegjësinë për sulmet e mëparshme, ai në Nicë të Francës dhe në një tren në Bavari të Gjermanisë janë marrë nga grupi militant, Shteti Islamik.

Policia fillimisht edhe këtë sulm të mbrëmjes së 22 korrikut e ka trajtuar si incident terrorist.

Këtë të premte është shënuar edhe pesë vjetori i masakrës së kryer nga Ander Behrin Beivik në Norvegji gjatë së cilës janë vrarë 77 persona. Breivik konsiderohet hero për militantët e të djathtës ekstreme në Evropë dhe Amerikë. (REL)