Policia ende në kërkim të të dyshuarve për grabitje

E publikuar: 09/01/2019 16:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kastriot Shala e Leutrim Latifi po kërkohen tash e tre muaj nga ana e policisë për grabitje.

Policia e Kosovës vazhdimisht ka kërkuar bashkëpunimin nga ana e qytetarëve për vendndodhjen e dy të kërkuarve.

Policia e Kosovës më 16 tetor të vitit 2018 përmes një komunikate ka njoftuar se është në kërkim të tre personave të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në disa raste të grabitjeve.

Ata kishin kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e të dyshuarve që sipas fotografisë janë në rahati sa për të dalë së bashku në kafene.

Më 3 janar, të këtij viti derisa kishte ndodhur një grabitje në marketin “Meridian” në Lagjen Dardania në Prishtinë, Shala e Latifi ishin shfaqur nën shoqërinë e njëri-tjetrit, me një fotografi në rrjetin social “Facebook”.

Postimin e tyre ata e kanë shoqëruar me mbishkrimin ‘E sa njeri ka ba turr, e u hi nër tavolinë si [qen]”.

Kallxo.com ka kërkuar nga ana e policisë të dijë nëse kanë arritur të lokalizojnë vendin ku po qëndrojnë dhe postojnë fotografi, Shala e Latifi.

Në një përgjigje, zyra për informim e Departamentit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, thuhet se të njëjtit janë ende në kërkim.

“Policia e Kosovës ende i ka në kërkim personat e dyshuar”, ka thënë policia.

Në nëntor, policia kishte njoftuar se të dyshuarit që janë në kërkim konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe aktualisht gjenden në arrati në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor.

Sipas policisë, dy të lartpërmendurit dhe Ridvan Ademi nga Podujeva ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit mund të jenë të implikuar në rastet e grabitjeve që po hetohen.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/policia-ende-ne-kerkim-te-dy-t-dyshuarve-per-grabitje-614147/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright