Policia e Kosovës konfiskon mbi 66 kg marihuanë dhe arreston një person

E publikuar: 29/03/2017 15:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Policia e Kosovës në vazhdën e parandalimit, hetimit dhe luftimit të kontrabandimit me substanca narkotike, dhe luftimin e dukurive tjera negative në vend ka ndërmarrë veprimet dhe në dy raste të ndara janë konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave të dyshuara narkotike dhe është arrestuar një person i dyshuar.
Rasti 1
Me datën 28.03.2017, rreth orës 16:30, Policia e Kosovës, respektivisht, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Njësia në Prizren, nga burime të besuara ka pranuar informacione se në mes të fshatrave Shpenadi, Velezhë, Caparc dhe Novakë, afër një are të punuar gjenden disa çanta të mëdha,  me ngjyrë të zezë dhe të mbuluara me disa mbulesa plastike dhe bari të tharë .

Pas marrjes së kësaj informate Policia ka dalë në lokacionet e lartcekura dhe aty ka vërejtur se gjenden katër çanta të zeza, në të cilat gjendeshin gjashtëdhjetë e dy (62) paketime, me një substancë të dyshuar për narkotikë të llojit marihuanë.

Lidhur me këtë rast është informuar prokurori kompetent në Prizren.

Pas përfundimit të shikimit të vendit të ngjarjes dhe marrjes së dëshmive nga vendi i ngjarjes, në bashkëpunim të njësiteve hetimore rajonale të Prizrenit, Njësisë për Reagim të Shpejtë, teknikës kriminalistike, stacionit policor Veriu dhe stacionit policor në Prizren, me Njësinë K9 ka filluar kontrollimi i zonës rreth vendit të ngjarjes dhe pas rreth 3 km kërkimesh nga qentë e Njësisë K9, gjurmët na kanë dërguar tek shtëpia e një të dyshuari potencial.

Me urdhër verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake në Prizren janë kontrolluar shtëpitë, objektet përcjellëse dhe automjetet e të dyshuarit, mirëpo gjatë kontrollimit nuk është gjetur ndonjë dëshmi që lidhet me veprat penale të narkotikëve apo të veprave tjera penale .

Pas matjes së substancave të dyshuara narkotike të llojit marihuanë, ka rezultuar që pesha e tyre të jetë rreth 62 kg e 465 gramë.

Lidhur me këtë rast njësitet përkatëse janë duke zhvilluar hetime të mëtejme.

Rasti 2

Me datën 28.03.2017, rreth orës 21:30 një njësi policore e stacionit policor të Fushë Kosovës gjatë punës operacionale në terren dhe në kërkim të një personi të dyshuar për grabitje po sa kanë marrë informatën lidhur me adresën e ku banon ai, gjatë kërkimit nëpër korridore të shtëpisë janë vërejtur disa grimca të dyshuara si të narkotikëve.

Në atë lokacion është ftuar edhe Njësiti i Antidrogës dhe sipas koordinimit me prokurorin dhe gjykatën kompetente është realizur një bastisje në dhomën ku ndodhej (i dyshuari mashkull: A.Ç. viti i lindjes 1999) shtetas i Shqipërisë, ku gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar 4827.9 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, një peshore digjitale dhe tre telefona. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Njësia e Krim-teknikës rajonale e cila ka bërë vendshikimin e vendit të ngjarjes, fotografimin dhe matjen  e substancës së dyshuar narkotike.