Policia demanton gjetjen e trupit të policit Armend Trena

E publikuar: 04/05/2018 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëpër disa media u publikua lajmi se para pak minutash është gjetur edhe trupi i policit Armend Trena në lumin Lepenc.

Por Policia e ka demantuar këtë lajm.

Zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Agim Gashi, ka thënë për Klan Kosovën se kjo nuk është e vërtetë.

Ai ka shtuar se kërkimet po vazhdojnë akoma dhe do të vazhdojnë deri kur të errësohet.

Gashi ka konfirmuar se kërkimet janë fokusuar rreth disa urave që janë ndërtuar nga “Bechtel Enka” për ndërtimin e autostradës.

Sipas tij, këto ura do të rrënohen, në rast se ka dyshime se aty mund të jetë trupi i policit të zhdukur. Po ashtu që kërkimi të jetë më i lehtë në këtë zonë, mund edhe të devijohet një pjesë e lumit Lepenc.

Në ndërkohë sot në fshatin Stagovë të Kaçanikut i është dhënë lamtumira e fundit policit Malsor Dashi, trupi i të cilit u gjet dje në lumin Lepenc pas katër ditësh kërkime.

Policët Malsor Dashi dhe Armend Trena u zhdukën pas aksidentit të së shtunës mbrëma në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit.