Policia: Brenda selisë së VV-së, u sulmuam dhunshëm me mjete të forta

E publikuar: 28/11/2015 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas arrestimeve masive të sotshme në zyrat qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje, Policia e Kosovës ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme, ku janë dhënë informata të detajuara mbi ngjarjet që ndodhën pas tubimit paqësor të opozitës në sheshin “Zahir Pajaziti.” Kelani ka thënë se të arrestuar janë 95 aktivistë të Vetëvendosjes dhe janë lënduarkatër pjesëtar të Policisë.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se Policia e ka sjell deputetin Albin Kurti para organeve të drejtësisë, ashtu siç kërkohet me urdhërarrest.

Sipas Kelanit, në mesin e zyrtarëve policorë, të lënduar kanë mbetur 4 prej tyre, dy prej të cilëve janë të lënduar më rëndë.

“Policia e Kosovës ka hasur në një numër të caktuar protestuesish që nuk kanë e lejuar policinë të kryejnë punën. Përkundër thirrjeve tona, ata nuk lejuan, kështu që zyrtarët policorë janë detyruar të intervenojnë për të siguruar hapësirë për arrestimin siç kërkohet me urdhërarrest”, ka thënë Kelani para gazetarëve.

Kelani ka thënë se në momentin që zyrtarët policorë kanë hyrë brenda zyrave të VV-së, ata kanë hasur në rezistencë të fortë.

“Personat brenda kanë qenë jashtëzakonisht të dhunshëm duke hedhur mjete te forta, metal, karrige shkopinj tavolina ndaj Policisë. Përkundër të gjitha pengesave, zyrtarët tanë janë vënë në kryet të detyrës dhe e kanë realizuar arrestin siç parashihet me urdhërarrest. Janë shoqëruar 95 persona në institucionet policore për të vazhduar procedura të mëtutjeshme”, ka thënë Kelani. /KosovaPress/