Polemika në SHBA në ditën e funeraleve të viktimave në Florida

E publikuar: 20/02/2018 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në SHBA ka polemika lidhur me sjelljen e presidentit Donald Trump në një ditë kur janë zhvilluar funeralet e viktimave të masakrës në shkollën e Mesme në Florida. Një prezantues i CNN e akuzon Trump se ka luajtur golf gjatë funeraleve.
“Ndërsa dy familje në Parkland të Floridas i jepnin lamtumirën e fundit fëmijëve, Donald Trump luante golf dhe publikonte mesazhe në twitter kundër FBI. Kush pret më shumë respekt për tragjedinë të qetësohet, presidenti nuk ka ndryshuar sjelljen e tij”.

Ky është sulmi i ashpër i bërë nga prezantuesi televiziv kryesor i CNN, Anderson Cooper në programin e tij politik “360 gradë”.

Duke denoncuar se si Trump shijonte pushimin në fundjavë në resortin e tij në Mar-a-Lago, prezantuesi thotë se pak kilometra më tej dy familje zhvillonin funeralet e dy fëmijëve të tyre, që humbën jetën gjatë masakrës në shkollën e mesme “Marjory Stoneman Douglas” të kryer nga adoleshenti Nikolas Cruz.

Cooper ka treguar një sërë mesazhesh në tuitër të presidentit amerikan që tregojnë se, në ditën e gjatë të zisë, Trump nuk ka publikuar kurrë një mendim për familjet e viktimave. Fjalë më e përdorur është në fakt “Rusia”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë gjatë gjithë ditës ka vijuar mesazhet e tij për “Russiagate”, FBI dhe për atë që nuk ka bërë Barak Obama. Por asnjëherë një fjali ngushëllimi për familjet e viktimave.

“Këto mesazhe tregojnë shumë për atë që kalon tek mendja e njeriut më të fuqishëm të botës. Cilat janë prioritetet e tij: dhe në çfarë konsiston humanizmi i tij”, thotë prezantuesi i CNN në një video editoriale.

Ndërkohë, videoja e Copper është bërë virale në internet dhe menjëherë është ripublikuar nga shumë qytetarë me hashtagun “t’i detyrojmë të jenë të ndershëm”/GazetaExpress/