Po vazhdon seanca për buxhetin dhe pagat

E publikuar: 02/02/2019 14:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës pritet të diskutojë dhe miratojë në shqyrtim të dytë Projektligjin për buxhetin për vitin 2019, atë për pagat në sektorin publik dhe Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Para fillimit të seancës parlamentar, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka marrë vendim për shkarkimin nga detyra të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo.

Vendimi për largimin nga detyra ka ardhur pas kërkesë së partisë opozitar , Partisë Socialdemokrate, që ka kushtëzuar votën për miratimin e buxhetit me shkarkimin e ministrit Rikalo që vjen nga radhët e partisë, Lista Serbe.

Lista Serbe kohë më parë ka thënë se nuk është më pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe se në Kuvend do të jetë pjesë e opozitës. Megjithatë, ministrat e kësaj partie që përfaqëson komunitetin serb, kanë vazhduar punën e tyre në dorëheqje.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se Projekligji për pagat ofron vetëm rritje për punonjësit në sektorin publik.

“Pagat u janë rritur të gjithë mësimdhënësve, personelit shëndetësor, policëve, ushtarëve, shërbyesve civilë dhe të gjitha kategorive tjera në sektorin publik”, shprehet Veseli.

Projektligji për paga ditëve të fundit ka nxitur reagime të ndryshme, për siç është thënë, mosnivelizimin dhe kategorizimin e pagave në sektorin publik.

Këtë projektligj po e kundërshton partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Përmes një komunikate për media ky subjekt politik tha se projektligji po ‘thellon’ pabarazinë në vend.

Buxheti për vitin 2019, është paraparë të jetë 2.3 miliardë euro.

Nëse sot nuk miratohet Projektligji për buxhetin e vitit 2019, atëherë Qeveria e Kosovës, nuk do të mund të bëjë asnjë pagesë buxhetore.

Por, ndërkohë mund të aplikohet edhe një zgjidhje kalimtare. Për të mundësuar ndarje të mjeteve nga buxheti, në bazë të procedurave ligjore që zbatohen kur buxheti nuk është miratuar, Kuvendi mundet që me anë të një vendimi të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Ndërkohë që janë miratuar projektligji për funksionimin dhe organizimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive Publike e gjithashtu është bërë edhe miratimi i ligjit për zyrtarët publik.