Protesta e opozitës, jashtë e brenda institucioneve

E publikuar: 24/02/2016 10:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Po vazhdon edhe sot protesta e 24-orësh e opozitës në tenda, e nisur dje para Kuvendit të Kosovës.
Nata e parë e protestës ka kaluar e qetë e kryesisht me disa aktivitete, të cilat janë paraparë nga organizatorët. Nënkryetari i VV-së, Driton Çaushi, ka thënë të mos kenë pasur probleme në natën e parë, raporton KTV.

“Gjatë gjithë natës protesta ka qenë e qetë. Shumë qytetarë iu janë bashkuar aktivistëve të opozitës për të protestuar. Qëllimi i saj dihet. Pra ne do të protestojmë deri në rrëzimin e kësaj qeverie”, ka thënë ai.

Ndërkaq deputeti i AAK-së, Bali Muharremaj, ka konfirmuar se do të vazhdojnë protestën jashtë institucioneve, por se do të jenë aktivë edhe brenda tyre.

Ai theksoi se është e padrejtë që të kuptojnë nga mediat se janë suspenduar, duke mos u njoftuar në asnjë rast nga kryetari i Kuvendit. Ai tha se do të vazhdojnë avazin e njëjtë për të penguar mbajtjen e seancave.

“Nuk është parë askund në botë që deputetët të largohen zvarrë nga ulëset të cilat ua ka besuar qytetari. Ne do të vazhdojmë të pengojmë mbajtjen e seancave me mjete të njëjta dhe jo vetëm”, ka thënë Muharremaj.

Organizatorët kanë thënë se në natën e parë të protestës kanë qëndruar rreth një mijë persona dhe se tendat kanë qenë të mbushura, transmeton Koha.net

Në mëngjes është shpërndarë ushqim e pije për të gjithë protestuesit. Kujdestari pranë tyre ka mbajtur edhe policia e Kosovës e cila është parë edhe në mëngjesin e së mërkurës rreth institucioneve të vendit.

Liderët e tri partive opozitare në konferencën që i ka paraprirë kësaj proteste kanë thënë se përveç marrëveshjeve, kësaj radhe kundërshtojnë edhe zgjedhjen e Hashim Thaçit president. Ndërkaq është marrë leje nga komuna për vendosjen e tendave.