Po sikur Xavi të luajë te PSG?

E publikuar: 26/05/2015 12:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duket më tepër si një histori komploti, megjithatë e përditshmja franceze Le Parisien insiston se gjithçka mund të ndodhë. Konkretisht bëhet fjalë për Xavi Hernandez, një prej ikonave të Barcelonës, i cili nga Al Sadd mund të përfundojë te Paris Saint Germain, siç raporton gazeta franceze. Pas një karriere të tërë te blaugranat ku u rrit dhe u formua, ashtu siç pritej, javën e kaluar mesfushori 35-vjeçar konfirmoi largimin drejt Katarit. Deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë në këtë histori, por është Le Parisien që aludon për prapaskenat që mund të fshihen pas kësaj lëvizjeje. Pronari i Al Sadd është vëllai i presidentit të klubit parizien, Nasser Al Khelaifi dhe sipas gazetës, nisur nga ky fakt mund të përsëritet e njëjta gjë që ndodhi me Frank Lampard. Mesfushori anglez i dha lamtumirën Chelseat vitin e shkuar për t’u transferuar te New York City, por më pas përfundoi i huazuar te skuadra simotër e amerikanëve, pra te Manchester City. Sa shanse ka që kjo të ndodhë me Xavin? Siç tregon historia, në futboll kurrë nuk duhet thënë kurrë. Në Shtator 2014, kur paralajmëroi largimin, ai tha se nuk dëshironte të luante në Europë kundër Barcelonës, megjithatë gjithçka mund të ndryshojë, nëse historia e Le Parisien do të bëhet realitet./ss/