Po hetohet ndërhyrja e policëve ndaj tifozëve në derbin e djeshëm në Elbasan

E publikuar: 31/10/2016 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Shtetit ka vepruar në bazë të procedurave standarde, megjithatë reagimi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në “Elbasan Arena” është bërë objekt i një analize brenda radhëve të uniformave blu.

“Në minutën e ‘78 nga arbitri është dhënë një goditje dënimi, tifozët e Partizanit nuk kanë qenë dakord dhe kanë tentuar të hyjnë në fushë. Forcat e policisë, sipas procedurës standarde, janë rreshtuar para tifozërisë. Tifozët kanë nisur të thyejnë stolat dhe të sulmojnë agjentët, të cilët kanë reaguar duke rivendosur rendin në shkallët e stadiumit”, ka deklaruar Gjovalin Loka, drejtor i Rendit Publik.

Për të shmangur skenat e dhunës në stadiumet shqiptare, që për hir të së vërtetës krijohen nga një numër i vogël individësh, policia kërkon nga federata më shumë punë sa i takon të ashtuquajturave “listat e zeza”, raporton Top Channel.

“Listat e zeza nuk shkruhen sot dhe mbeten përgjithmonë, por ka tifozë që bëjnë akte si ato të djeshmet, ndaj duhet të rifreskohen dhe duhet t’i vihen në dispozicion policisë. Janë komisionet e disiplinës ato që vendosin për mbajtjen e tifozëve jashtë stadiumit, jo Policia e Shtetit”, ka thënë Loka.