Platini: Largohem me ndërgjegje të pastër

E publikuar: 14/09/2016 13:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I larguar me turp, pas akuzave për korrupsion, Michel Platini mori pjesë në Kongresin e UEFA-s në Athinë, ku mbajti edhe fjalën hapëse. Përpara votimit, ku Konfederata Europiane ishte thirrur të zgjidhte pasardhësin e tij, francezi këmbënguli se nuk ka bërë asgjë jashtë rregullave.

Përkundrazi Platini deklaroi se është krenar për gjithçka ka bërë, e ka ndërgjegjen të pastër dhe do të vazhdojë betejën gjyqësore për të pastruar emrin e tij. 61-vjeçari e nisi fjalën, duke e vendosur theksin te emocionet që ndiente, në atë që e cilësoi fjalimin e tij të fundit në një Kongres të UEFA-s.

“Faleminderit për këto 9 vite të kaluara së bashku. Kemi bërë një punë të shkëlqyer: jam krenar dhe e kam ndërgjegjen të pastër. Miq të futbollit, lamtumirë!”, tha Platini.

Michel Platini u përjashtua së bashku me ish-presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, për pagesën e padeklaruar të 2 milionë frangave zvicerane në vitin 2011.

Fillimisht legjenda e futbollit francez u dënua me 6 vjet përjashtim nga të gjitha funksionet në futboll. Masa ndëshkuese u reduktua në 4 vjet nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Një goditje për Platini që pretendonte rënien e akuzave, duke u detyruar që në Maj të këtij viti të dorëhiqej nga posti te UEFA dhe nuk u lejua të merrte pjesë në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s.