Pjesa e dytë e reportazhit të Buzhalës nga Izraeli: Në Selinë e Shenjtë të problemeve të pazgjidhura

E publikuar: 11/12/2017 18:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjëja e parë që të bie në sy në Izrael janë ushtarët dhe ushtaret. Janë kudo. Me gjasë, jo duke bërë roje, por thjeshtë duke lëvizur për hesape personale. Ndoshta mund të mos jetë as kaq e thjeshtë. Ndoshta i vëren edhe për faktin sepse i kërkon, duke e pasur në mendje krejt çfarë ndodh në atë rajon.

Janë djem dhe vajza të reja, kryesisht shtatshkurtër dhe të imët në trup, që mbajnë në krah armë automatike të cilat u varen pothuajse deri në fund të këmbëve.

Shërbimi ushtarak në Izrael zgjatë dy – tri vjet. Kjo mund të jetë edhe njëra prej arsyeve përse prezenca e tyre është e paevitueshme, sepse janë shumë që janë në shërbim në të njëjtën kohë.

Përveç ushtarëve të rregullt, në Izrael është e zakonshme të takosh, në dukje, civil me armë që u shihen në brez. Duket që askujt nuk i bën përshtypje një gjë e tillë, e as atyre që i bartin. Kur po them sheh burra dhe gra me armë në brez, po them sheh shumë.

Kjo ishte përshtypja e parë në Tokën e Premtuar: më shumë persona të armatosur si dhe më shumë armë në duar të civilëve se sa zakonisht.

Mirëpo, tek e fundit jemi në Lindje të Mesme, rajon ky që mund të konsiderohet si Selia e Shenjtë e të gjitha problemeve të pazgjidhura në botë. Nëse dikujt në botë i duket që problemi në shtetin e tij po zgjat më shumë se sa duhet, atëherë silleni për një vizitë të shkurtër në këtë rajon. Këndej pari 2000 vjet kalojë shpejt.

Gjëja e dytë që më ra në sy, respektivisht në vesh, kur zbrita, kur e kalova kufirin, ishte se nuk ditkam të bëj dallimin në mes të gjuhës hebreje dhe asaj arabe. Për veshin tim ishte krejt njëjtë. Ndoshta, nuk mund ta them me siguri të plotë, ose ngaqë kam paragjykime nga filmat, arabët flasin pak me zë më të madh. Kam qenë i bindur se do t’i identifikoja lehtësisht se çka është arabisht dhe çka është hebraisht.

*

Kur e kaluam kufirin, ende brenda aeroportit, u kujtova që duhej të gjeja ndonjë ATM për të tërhequr disa qindra shekelë, valutë e Izraelit, vlera e të cilave ishte 4 me 1me euro. Kisha lexuar paraprakisht për vlerën e kësaj valute, kisha lexuar edhe për çmimet e darkave, drekave, pijeve, kështu që për 24 orët e para i tërhoqa 400 shekelë, që ishte përafërsisht 100 euro, duke mos e përfshirë në këtë buxhet edhe hotelin, të cilin e kisha paguar online.

Fill pastaj e pyeta një person që po jepte informata se sa kushtonte një taxi për në qytet, ose deri te hoteli, që ndodhej rreth 25 kilometra larg.

Nga të gjitha shpenzimet që i bëj gjatë vizitave jashtë vendit më së shumti më dhemb zemra për ato që i harxhoj nëpër taxi – ndonëse kjo gjë nuk ndodh shpesh. E konsideroj marrëzi të dorës së parë që t’i paguaj 15-20 euro, dollarë, a çkado tjetër, për taxi, për një rrugë që mund ta bëj me ecje normale për 30-45 minuta, ose më pak. Pastaj jam edhe dashamir i ecjeve të gjata. Pastaj transporti i lirë publik, si trenat, metrotë, autobusët. Mirëpo meqë ishte natë, pas mesit të natës, meqë kishte filluar e shtuna e shenjtë e hebrenjve kur ndalej edhe jeta, e bashkë me jetën transporti publik, e vetmja mundësi për të vajtur në destinacion ishin taxit.

Kur po them që më dhimbsën paret për taxi, këtë e them me gjithë mend, e jo për qëllime të shkrimit, prandaj gjëja e parë që e bëra ishte që të pyesja paraprakisht të informatat në aeroport se sa do te duhej të ishte çmimi i mallkuar i taxit për të shkuar me taxi në Tel Aviv. Ai që punonte në informata pasi ma kërkoi adresën e saktë të hotelit më tha se çmimi duhej të ishte rreh 140 shekelë, respektivisht rreth 30 euro. Mirë thash, nuk qenka aq shumë. Shumë qenka, por jo aq shumë.

Para dyerve të aeroportit, si në çdo vend të botës, taksistët e kishin krijuar rrëmujën e duhur për këso rastesh. Pa arritur që të përqendrohesha mjaftueshëm se kënd do ta zgjedhja, njëri prej tyre, një që ishte trupmadh dhe fytyrëngrysur, na mori mua dhe vëllain pothuajse pa na pyetur. I bëra disa përpjekje të kota për të ditur saktësisht se sa ishte çmimi, sepse po i tregoja se në informata më thanë që ishte rreth 140 shekelë, por ai tashmë ishte nisur dhe po fliste si nëpër buzë. Derisa ai po voziste unë e kërkoja me sy se ku dreqin e kishte taksimetrin, për të ditur përafërsisht se sa po na kushtonte ky udhëtim. Mos rastësisht po na kushtonte më shumë se sa bileta e aeroplanit.

“Sa duhet?”, i thash kur pas rreth një çerek ore mbërritëm para hotelit.

“280 shekelë”, mu përgjigj në mënyrë të prerë dhe të panegociueshme.

Hopa thashë më vete, prandaj ky nuk fliste fare kur e pyesja para nisjes se sa ishte çmimi. Pra, na kërkoi fiks edhe njëherë më shumë se sa më kishin thënë te informacioni.

“Por”, provova t’i thosha që ndryshe më kishin thënë. Ai e kishte zgjatur dorën duke i kërkuar shekelët. Çfarë zgjidhje tjetër kisha përveç që të paguaja?

Sikur secilin deri më tash që e kisha takuar, e kisha një dëshirë ta dija edhe për taksistin në ishte hebre apo arab. Sigurisht që nuk e pyeta. Mirëpo pasi që ma hodhi me çmim, tash e kisha një paragjykim timin se çfarë mund të ishte.

Përveç taxit që ishte shtrenjtë, përgjithësisht Izraeli, ose së paku Tel Avivi dhe Jerusalemi, janë vende shumë të shtrenjta. Ndoshta vendet më të shtrenjtat ku kam qenë. Ndonjëherë pakuptueshëm dhe qesharakisht të shtrenjta. Shto këtu konfuzionin me valuta. Shto këtu bakshishin e obligueshëm për kamerierët, që shkon prej 10 – 20 për qind. Një espresso mund të shkonte edhe deri në 10 shekelë. Bashkë me bakshish i binte kohë pas kohe edhe deri në 3 euro. Një birrë shkonte prej 20 deri në 30 shekelë, ose 7 – 8 euro. Ndërsa ushqimi kryesor, pjata kryesore, ta këpuste kurrizin, me 80 shekelë e më lart. Me një fjalë, një drekë, ose një darkë, për dy veta, që nënkuptonte dy gota verë, të cilësisë mesatare, një sallatë ose një supë bashkë me ushqimin kryesor, bashkë me bakshishin për kamerierët, shkonte pa frikë te 80 – 100 euro. Të mos harrojmë se hahet së paku dy herë në ditë.

Mirëpo për dallim nga shpirtngushtësia qe e tregoj me taksistët, në restorant shndërrohem në tjetër njeri. Unë kryesisht udhëtoj për shkak të ushqimit. Nuk ka asnjë ushqim, e asnjë kuzhinë në botë, që e refuzoj. E gjithashtu të gjitha kursimet që i bëj në vende të tjera i investoj në restorant.

*

Të nesërmen ishte ditë e shtune, ishte Shabbat, dita kur Zoti ka pushuar pasi e ka krijuar botën në gjashtë ditë të tjera. Të krishterët e kanë të dielën, myslimanët e kanë xhumanë, kurse hebrenjtë e kanë Shabbat’in. Ndoshta, të tri këto ditë të pushimit, me bazë të njëjtë, mund të njihen si Sabbath. 

Pra, ishte ditë pushimi për hebrenjtë. Kur po them pushim po mendoj abstenim total nga jeta për 24 orë. Sa për ilustrim se sa seriozisht merret kjo ditë: ata që janë më religjioz nuk pinë as cigare, sepse me gjasë konsiderohet punë edhe kjo. Nuk punon asgjë, përveç natyrës. Kjo gjendje vazhdon kështu deri të shtunën kur perëndon dielli. Me disa të huaj që jetonin dhe punon në Izrael kur biseduam për këtë çështje, për çështjen e pushimit të së shtunës, tregonin lloj – lloj rrëfimesh mbresëlënëse. Një parti konservative ortodokse hebreje, ta zemë, i ka premtuar Kryeministrit Netanjahu se do ta mbështesë ndërtimin e një hekurudhe ultramoderne që e lidh Tel Avivin me Jerusalemin, me kusht që treni të mos punojë të dielën. Për këtë arsye u desh të presim perëndimin e diellit që të rifillonte punën transporti publik që të niseshim për Jerusalem.

Derisa perëndimi i diellit të ndodhte shfrytëzuam rastin që ta shijonim Tel Avivin, një metropol ultraliberal. Është pothuajse non sense ta mendosh një qendër të tillë në Lindje të Mesme. Jetojnë së bashku hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët. Luten, ndarazi, në sinagoga, xhami dhe kisha. Rrugëve sheh femra me shami dhe pa to, burra me mjekra të ndryshme, varësisht besimit të tyre, e posaçërisht sheh djem dhe vajza që e jetojnë jetën e tyre sikur në Paris, Londër ose Neë York. Marihuana pihet publikisht. Persona me orientime diverse seksuale i takon në çdo kafe dhe në çdo rrugë. Thënë ndryshe, Tel Avivi nuk është vendi i duhur për besimtarët radikalë, të asnjë religjioni. Për besimtarët e moderuar, për ata që e shikojnë punën e tyre, është vendi i duhur për të qenë.

Pas disa shëtive buzë detit, nëpër shëtitoren e famshme, të gjatë rreth 20 kilometra, që fillonte në lagjen e vjetër Jaffa dhe përfundonte në skajin tjetër të Tel Avivit, u drejtuam për në stacionin qendror të autobusëve, i cili konsiderohet si më i madhi në botë. Kuptohet, për te stacioni i autobusëve shkuam këmbë. Sa më shumë që i afroheshim stacionit aq më të varfra rrugët dukeshin. Fillonte e mungonte edhe ndriçimi dhe fillonin e shfaqeshin edhe kontejnerët e pazbrazur me mbeturina. Banorët në ato lagje ishin kryesisht me prejardhje nga Afrika. Prapë, nuk di të them nëse gjuha që po e flisnin ishte arabe, apo ishte hebreje. Pas rreth 45 minutash, duke kaluar lagje nëpër lagje, rrugë nëpër rrugë, mbërritëm të stacioni. Stacioni ishte saktësisht siç e kisha lexuar në internet, një hapësirë e pafundme, me shtatë – tetë nivele. Askund në botë, e as këtu, transportin me autobus nuk e shfrytëzojnë elitat politike dhe financiare, për këtë arsye gjendja brenda tij ishte jashtë standardeve të Tel Avivit. I papastër, i pamirëmbajtur, i lënë pas dore. Mirëpo përpara se të futeshe në stacion, sikur në çdo qendër tjetër të madhe publike, duhej të kaloje nëpër një kontroll detaj. Në të gjitha këto pika të kontrollit qëndronin persona të armatosur, me sjellje korrekte, që po e kryenin punën e tyre.

Bashkë me disa udhëtarë të tjerë po niseshim drejt Jerusalemit. Për shumicën prej tyre ky ishte “edhe një udhëtim i radhës” kurse për mua ky ishte një prej udhëtimeve me më së shumti kuptim. Doja të shihja nga afër se si dukej ai vend, të cilin Zoti e paska zgjedhur për të bërë Besëlidhjen e tij me njeriun, përmes babës së monoteizmit: Abrahamit/Ibrahimit.

(Vijon)