Pezullohen kamatat e tatimit në pronë deri më 31 dhjetor

E publikuar: 05/05/2020 12:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Financave dhe Transfereve ka pezulluar kamatat për tatimin në pronë deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Ministria e Financave dhe Transfereve i ka kthyer përgjigje pozitive kërkesës Asociacionit të Komunave të Kosovës për faljen e kamatave, transmeton Lajmi.net.

Falja e kamatave do të bëhet deri më datën 31 dhjetor.

Gjoba e parapare me ligj, për ata që nuk e paguajnë brenda vitit tatimin, i shtohet 17.8 për qind të shumës së tatimit nga tatimpaguesit.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

ME PROPOZIM E KËRKESË TË AKK, NUK DO TË KETË GJOBA PËR MOSPAGESË TË TATIMIT NË PRONË PËR VITIN 2020

Me propozim dhe kërkesë të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Ministria e Financave dhe Transfereve (MFT) ka nxjerrë vendim që të pezullohet aplikimi i llogaritjes së interesit për mos pagesën e Tatimit në Pronë.

Me anë të një letre, Asociacioni i Komunave të Kosovës i është drejtuar z.Besnik Bislimi – Ministër i Financave dhe Transfereve me datën 27 prill 2020 me propozim dhe kërkesë lidhur me mundësinë e marrjes së masave për mos aplikimin e kamatë-vonesës dhe gjobës për tatimin e papaguar në kohë të këtij viti tatimor (2020), përgjatë gjithë vitit 2020.

Në këtë shkresë ndër të tjera thuhej që “kjo situatë me pandeminë Covid 19 kërkon vlerësim të kujdesshëm nga ana e Ministrisë së Financave dhe Transfereve edhe për sa i përket detyrimeve të tatimit në pronë, në mënyrë që të merren masa e të minimizohen sa më shumë të jetë e mundur pasojat e krizës për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

Ne jemi të vetëdijshëm se për shkak të ngadalësimit të punës së PTK – së po edhe të Komunave ku punohet me staf të reduktuar, kufizimit të lëvizjes së qytetarëve etj., shpërndarja e faturave të tatimit në pronë, këtë vit tatimor, do të marrë më shumë kohë. Faturat mund mos arrijnë në kohë te një pjesë e madhe e tatimpaguesve, çka paraqet një pengesë reale për përmbushjen në kohë të detyrimeve, nga ana e tatimpaguesve.

Për më tepër, një pjesë e madhe e bizneseve janë detyruar të pezullojnë aktivitetin e tyre, e një pjesë e qytetarëve mund të kenë të ardhura më të pakta këtë vit. Si rezultat, një pjesë e konsiderueshme e tatimpaguesve do të gjenden në pamundësi objektive për shlyerjen e detyrimeve të tatimit në pronë brenda afateve të përcaktuara për ketë vit tatimor (30 Qershor dhe 30 Shtator), çka ka sjellë sipas ligjit aplikimin e kamatëvonesës dhe gjobës mbi tatimin e papaguar.

Prandaj Asociacioni i Komunave të Kosovës i rekomandon Ministrisë së Financave dhe Transfereve të shqyrtojë mundësinë e marrjes së masave për mos aplikimin e kamatëvonesës dhe gjobës për tatimin e papaguar në kohë të këtij viti tatimor (2020), përgjatë gjithë vitit 2020” – thuhej në letrën e AKK-së nënshkruar nga z.Xhafer Gashi – Zëvendes Kryetar i AKK-së.

Në përgjigje të Departamentit të Tatimit në Pronë në kuadër të MFT, ku është bashkangjitur vendimi i ministrit z.Besnik Bislimi thuhet:

“Po ju njoftoj që pas marrjes së kërkesës suaj menjëherë si DTP së bashku me Kabinetin e Ministrit dhe Departamentin Ligjor i kemi propozua ministrit që të nxjerr vendim për pezullimin e aplikimit të llogaritjes së interesit (kamatës) dhe gjobës për mos pagesën e tatimit në pronën e paluajtshme, sipas nenit 36, paragrafi 6, i Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, deri më 31 dhjetor 2020.