Peterle: Në veri nuk u plotësuan standardet e zgjedhjeve demokratike

E publikuar: 24/10/2017 11:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle në një konferencë për media tha se vëzhguesit e BE-së kanë gjetur mangësi gjatë procesit të zgjedhjeve, ku kanë parë se në listat zgjedhore vazhdon të figurojë një numër i madh i njerëzve të vdekur.

Ai kërkoi që certifikatat e vdekjeve tash e tutje të lëshohen në mënyrë automatike.

 “Ka telashe dhe sfida të cilat nuk kërkojnë unitet kombëtar apo ndryshim të legjislacionit. Janë disa gjëra që kërkojnë ndryshim, e përmendëm listën e zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme që certifikatat e vdekjes të bëhen në mënyrë automatike dhe të mos lëshohen në bazë të kërkesës së familjarëve. Dëshiroj të them se ajo çka duhet të bëhet nuk është për t’ia bërë qejfin Brukselit, por e përmirëson cilësinë e demokracisë në Kosovë dhe gjithçka shkon në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

E përkundër kritikave që dalin nga të gjeturat, sipas tij, këto zgjedhje janë organizuar më mirë sesa zgjedhjet lokale të vitit 2013-të. Nga 446 vendvotime në 38 komuna që kanë monitoruar ata, Peterle tha se vëzhguesit e BE-së e kanë vlerësuar si një ditë të qetë dhe pa incidente të mëdha ditën e zgjedhjen.

“Vëzhguesit e BE-së e vlerësuan si pozitive ditën e zgjedhjeve, pa incidente madhore. Ndërsa KQZ-ja ka arritur të bëjë edukimin e votuesve dhe trajnimin e atyre që punonin. Kishte kërcënime në vendvotimet serbe, dhe kjo është pengesë pasiqë nuk i plotësonin standardet për zgjedhje demokratike”, tha ai.

Peterle shtoi se mediat kanë mbuluar ngjarjet e 22 tetorit, por theksoi se ka pasur shumë programe të sponsorizuara dhe disa madje e kanë shkelur edhe heshtjen zgjedhore.

“Mediat transmetuese kanë mbuluar ditën e zgjedhjeve dhe lajmet përmbanin informacion, por ka pasur shumë programe të sponsorizuara. Klan Kosova dhe Dukagjini kanë shkelur heshtjen zgjedhore dhe KPM-ja nuk i ka dënuar ata që kanë bërë shkelje. ZAP ka paraqitur 552 ankesa dhe parashtresa një ditë para zgjedhjeve”, theksoi ai.

Ai tha se në veri të Kosovës nuk janë plotësuar standardet sikur në pjesën tjetër të vendit dhe se duhet të ndërmerren masa konkrete në këtë drejtim.