Pesë të arrestuar në Ministrinë e Infrastrukturës, ish-sekretari në kërkim

E publikuar: 27/11/2018 07:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare kanë çuar në arrestimin e pesë zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, përfshirë njerëz të afërt me vetë ministrin Pal Lekaj.

“Koha Ditore” ka marrë vesh se të arrestuarit nisin që nga kabineti i ministrit Pal Lekaj.

Pjetër Ndou është këshilltar i Lekajt, ai të hënën është arrestuar nga zyrtarët e Task- Forcës. Ndou në qeverisjen e kaluar lokale ishte këshilltar në Kuvendin Komunal të Gjakovës nga subjekti i AAK-së.

Përveç Ndout, kësaj ministrie të hënën i janë arrestuar edhe katër zyrtarë që hyjnë në mesin e zyrtarëve kryesorë të kësaj ministrie. Burim Deliu, udhëheqës i Departamentit për patentë shoferë, Kadri Krasniqi, drejtor i Departamentit për kontrolle teknike dhe homologim, Burim Krasniqi, drejtor i Këshillit për siguri rrugore dhe Mhill Bibaj, ekzaminer në Gjakovë.

Burime të gazetës brenda hetuesisë kanë treguar edhe se një nga zyrtarët e dyshuar si pjesë e këtij grupi është ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, të cilin Policia e Kosovës nuk ka arritur ta gjejë të hënën.