Pesë kushtet me të cilat PSD-ja e arsyetoi votën për buxhetin e vitit që vjen

E publikuar: 21/12/2018 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dardan Sejdiu, shef i deputetëve të PSD-së, parti e cila nga opozita e shpëtoi koalicionin qeverisës duke ia bërë kuorumin për ta votuar buxhetin e vitit të ardhshëm, i ka pasur pesë kushte për një gjë të tillë.

Sejdiu, në fjalën e tij ka thënë se Partia Socialdemokrate e ka shqyrtuar me kujdes projekt-ligjin për buxhet dhe se ka mospajtime në mënyrën se si janë të definuara prioritetet dhe mungesën e një qasje zhvillimore.

“Krejt këto i kemi shpërfaqur edhe në diskutimet tona gjatë shqyrtimit të projekt-ligjit për ndarjet buxhetore! Në situatën në të cilën është Kosova dhe ku pritet që viti i ardhshëm të jetë vit ku besojmë që mund të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, si dhe duke pasur parasysh që tashmë kemi delegacion shtetëror për këtë çështje, konsiderojmë që funksionaliteti i Republikës së Kosovës në këtë periudhë kohore nuk guxon në asnjë rrethanë të mbetet peng i instrumenteve të pushtetit serb, përkatësisht instrumentit të saj në Kosovë, Listës Serbe”, ka thënë Sejdiu.

Ka thënë se e “kemi krejt të qartë që përgjegjësinë politike për mos-funksionimin normal të Qeverisë së Kosovës e ka Kryeministri dhe qeveria e cila e varri vetën, që nga themelimi nga ky instrument politik i Serbisë, pra Listës Serbe”.

“Nuk pajtohemi në asnjë rrethanë që buxheti i Kosovës, pagat, investimet dhe orientimet e tjera zhvillimore, sado problematike që janë, të ndalen apo të pengohen nga Serbia, edhe sot 20 vjet pas çlirimit të Kosovës”, ka thënë Sejdiu.

Sjediu ka thënë se në mënyrë që në parim ta përkrahim projekt-buxhetin, ne si PSD kemi 5 kërkesa konkrete për të cilat presim zotim publik nga Kryeministri i Kosovës, para votës për këtë projekt-buxhet:

– Ligji për Paga të miratohet në lexim të dytë, së bashku me leximin e dytë të projekt-buxhetit, pra në të njëjtën seancë!

– Ligji për Dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend jo më larg se ditën e hënë, pra me datën 24/12/2018.

– Ligji për Qeverinë të sillet në Kuvend për miratim, jo më larg se 3 muaj nga sot! Ky ligj duhet ta saktësojë në mënyrë pa-ekuivoke, përveç tjerash çështjen e numrit të zv-ministrave për një ministri. Kërkesa konkrete jonë është që nuk mund të ketë më shumë se 2 zv. ministra për Ministri.

– I nderuari Kryeministër, kërkojmë nga ju funksionalizimin e plotë të Ministrisë së Bujqësisë! Ta keni parasysh që importi kryesor janë gjërat ushqimore, industria e përpunimit të ushqimit, si dhe që fermat e Kosovës kanë nevojë për strategji dhe udhëheqje që ndërton kapacitete për zv. te importeve, e pra edhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, e vende të reja të punës! Rrjedhimisht, kërkojmë lirimin nga detyra e Ministrit të Bujqësisë i cili nuk po e ushtron këtë detyrë, si dhe emërimin e një ministri që e funksionalizon Ministrinë e Bujqësisë,

– I nderuari Kryeministër, projekt-buxheti i Republikës është tepër shumë i ngarkuar me skema sociale e benefite pensionale. Janë plotë 465 milionë euro në te për skema të tilla! Si PSD, mbetemi të bindur se mund të reduktohet kjo ngarkesë buxhetore!

“Disa herë në këtë kuvend kam shprehur rrugën përpara për t’u siguruar që e kemi një sistem të mirëfilltë pensional, me ç’rast ta bëjmë një kod pensional, ku definohet edhe kontributi i secilit prej nesh, por edhe benefitet pensionale, që duhet gëzuar nga ata që meritojnë pensione, e në të njëjtën kohë të pastrohen listat nga keqpërdoruesit e mundshëm. Pra, kërkesa jonë e fundit është që të themelohet një Komision i veçantë për draftimin e kodit pensional dhe reformës së plotë! Ky komision duhet të udhëhiqet nga PSD”, ka thënë Sejdiu.

Kërkesat e PSD-së Haradinaj i ka cilësuar të drejta, dhe se mund të përfillen.

“I nderuari Sejdiu, ju në kohën kur Lista Serbe ka provuar ta kushtëzojë Kosovën, vërtet keni mbajtur qëndrim parimor, qëndrime që i kanë mundësuar vendit dhe Qeverisë të ecë me disa tema që janë me rëndësi siç është ajo e ushtrisë. Kërkesat që i ceket sot janë të drejta dhe ne në diskutim si koalicion qeverisës marrim obligimet për këto kërkesa ashtu si i cekët ju. Pra, të hënën që vjen fillojmë edhe me zbatimin e të parës, me votimin e ligjit për dialogun ne qeveri dhe me sjellë këtu”, ka thënë Haradinaj.