Përse po na bien flokët?

E publikuar: 02/04/2015 14:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Flokët e aq shumë dëshiruar po fillojnë të bien. Faktorët genetike janë dominues, por këtu ndikon edhe kequshqyerja, stresi, anemitë, infeksionet e ndryshme etj..

Mjekja Blerta Gjoni në një intervistë për tvklan.al ka theksuar nevojën e diagnostikimit me trikoskopi (ekzaminim digital i flokut) dhe njëkohësisht metodë e avancuar për diagnoza diferenciale të sëmundjeve të flokut.
Ekzaminimi me trikoskopi përcakton diagnozat e sëmundjeve që prekin flokun, si dhe skalpin e lëkurës së kokës. Rënia e flokut në formë vatrash, patologjia e ndjenjës kompulsive për të shkulur flokët dhe rënia e flokut në pjesën ballore, janë patologji të cilat kërkojnë trajtime të veçanta që do t’i njihni në vijim.

Çfarë është ekzaminimi me trikoskopi? Ekzaminimi me trikoskopi është mjaft i rëndësishëm për të përcaktuar diagnozat e sëmundjeve që prekin flokun, si dhe skalpin e lëkurës së kokës. Ka raste që mund të gjenden të dy problematikat, si të flokut dhe të skalpit në të njëjtën kohë, por trikoskopia e bën të mundur një diferencim duke na dhënë imazhin e zmadhuar fotografik digital të flokut dhe përbërjes së tij në strukturën anatomike të ndërtimit.

Kur duhet të shqetësohemi seriozisht për rënien e flokëve? Kur flokët fillojnë të na bien më shumë se normalisht (më shumë se 100 fije në ditë) ato fillojnë të na rrallohen e të humbasin vitalitetin e tyre.

Cilat janë shkaqet më të shpeshta të kësaj rënie?  Defiçiencat ushqimore që vijnë si rezultat i një mënyre ushqyerje jo të shëndetshme, mungesa e fibrave, vitaminave, mineraleve, që përgjithësisht gjenden në perime dhe fruta, mbajtja e dietave të forta për periudha të gjata kohe.
Shkaqet endokrinologjike si hypo ose hyper tiroidizmi, postpartum (mbas lindjes së një fëmije, kjo sepse si rezultat i proceseve të shumta mitotike që ndodhin gjatë shtatzanisë flokët gjatë kësaj periudhe nuk bien, por pas lindjes të gjitha ato flokë që normalisht duhet të kishin rënë gjatë periudhës së shtatzanisë fillojnë e bien njëherësh rreth 3 – 4 muaj pas lindjes)
Stresi i madh psikik dhe ai fizik. Anemitë sidomos ato ferriprive (që vijnë si rezultat i marrjes të pakët të hekurit apo humbjes së tij nga oragnizmi siç janë hemorragjitë e ndryshme) Infeksionet e përsëritura streptokok, si të fytit, hundës, veshëve, etj.

Si duhet të kryhet trajtimi i flokëve tek personat e prekur? Trajtimi i flokëve bëhet i kombinuar me terapi orale (që lufton shkakun) dhe aplikimin e produkteve kozmetike për flokët.
Kujdes duhet treguar me aplikimin pa kriter të këtyre produkteve, larjet e shpeshta, përdorimi i procedurave kozmetike, si tharjet e shpeshta me tharëse, aplikimi i produkteve për të shtrirë apo për t’i bërë kaçurrela, ekspozimi për periudha të gjata në diell e thajnë dhe e hollojnë flokun.

Përse ndodh rënia e flokut në formë vatrash dhe çfarë terapia këshillohet? Alopecia areata është një rënie e flokëve e lokalizuar në formë vatrash. Alopecia areata është një tjetër patologji ku floku bie në formën e vatrave të rrumbullakta apo ovale. Lëkura në këto vatra duket e shëndetshme, por pa flokë. Kjo formë e rënies së flokëve ka shkak përgjithësisht autoimun, që do të thotë se në mënyrë të pa parashikuar vetë trupi ynë krijon antitrupa që shkatërrojnë rrënjen e flokut (folikulin e tij). Në 30 % të rasteve shoqërohet me patologji të tjera autoimune siç janë thiroiditet autoimune (sëmundje e gjendrës tiroide, vitiligo (zbardhja e lëkurës me vatra), anemia pernicioze. Trajtimi i kësaj patologjie konsiston në injektimin e solucioneve kortizonike në vatrën alopecike me një interval prej 4 javësh dhe vitaminoterapi.

Trichotillomania, patologjia e ndjenjës kompulsive për të shkulur flokët nga shkaktohet dhe kë prek më shumë? Trichotillomania është një patologji që ka të bëjë me një ndjenjë kompulsive për të shkulur flokët dhe ka lidhje me çrregulime kompulsive psikike. Këta persona duke realizuar vetë shkuljen e flokëve qetësohen nga kjo lloj ndjenje dhe në një farë mënyre shkarkojnë stresin që përjetojnë. Flokët në zonat ku shkulen janë të rrallë, por duken mjaft folikuj flokësh gjë e cila të ndihmon të diagnostikosh saktë këtë patologji. Zakonisht kjo patologji vihet re tek adoloshentët apo edhe te fëmijët. Rënia e flokëve në këtë rast nuk ka shkaqe organike, por mbrapa saj fshihet një çrregullim psikik, që mund të vijë si rezultat edhe përjetimit keq të situatave të vështira. Mjekimi në këtë rast bëhet në bashkëpunim me mjekun psikiatër.

Rënia e flokut në pjesën ballore përse ndodh? Shpesh themi edhe pse s’ka flokë është njeri fisnik. Rënia e flokëve në pjesën ballore të kokës quhet alopecia androgjenike e cila ndodh si rezultat i kombinimit të faktorëve gjenetikë me faktorë hormonal (andogjenet) të cilët janë hormone mashkullore dhe veprojnë duke rritur apo shtuar qimet në pjesë të ndryshme të trupit. Por fatkeqësisht bëjnë që të bien flokët në pjesën ballore të kokës (përgjithësisht te personat që e kanë të trashëguar këtë gjë). Alopecia androgjenike ndodh si te meshkujt edhe te femrat. Tek seksi femër kur dyshohet për alopeci androgjenike natyrë hormonale e trashëgueshme kërkohen analiza hormonale më specifike, testosteroni dhe progesterone, si dhe konsultë endokrinologu, sepse kjo patologji mund të shoqërohet edhe me shqetësime të tjera, si cikël menstrual i çrregullt, infertilitet, akne dhe virilizëm.

Trajtimi ku konsiston? Trajtimi: Aplikohet solucion minoxidil, lokalisht 2% dhe 5% në zonën e kokës ku ka rënie flokësh, ndërsa te meshkujt përdoret edhe finasterid 1 mg çdo ditë. Mjekime këto që duhen dhënë dhe ndjekur nga mjeku Dermatolog./klan.al/