Përplasje mes pozitës dhe opozitës për përgjimet

E publikuar: 16/05/2016 09:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria e Tiranës është në pritje të përgjigjes nga Interforca për pajisjen e përgjimit, e cila sipas informacioneve te marra nga shërbimet inteligjente, përdoret nga policia shqiptare për të kryer përgjime të paligjshme.

Dy ditë më parë, dy oficerë të policisë gjyqësore kanë mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të bërë sekuestrimin e saj, por përgjigja zyrtare ardhur nga drejtuesit është se një pajisje e tillë administrohet nga Interforca dhe shërben vetëm për trajnim. Kjo ka bërë që organi i akuzës t’i nisë shkresë zyrtare Interforcës për të sekuestruar pajisjen në fjalë.

Mësohet se një grup ekspertësh do të kryejnë kontrollimin e saj për të parë nëse ka mundësi përgjimi, dhe nëse kjo vërtetohet atëherë do të shihet procedura e ndjekur për hyrjen e saj në Shqipëri, pasi një pajisje të tillë duhet të futet me dijeni edhe të prokurorit të përgjithshëm.

Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Partia Demokratike. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka ka akuzuar ministrin e brendshëm se po përgjon telefonatat e rivalëve të bandave të tij, opozitën, gazetarët dhe ambasadorët.

Noka i ka kërkuar prokurorit të përgjithshëm të reagojë menjëherë për të ndalur këtë paligjshmëri kriminale.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar edhe ministri i brendshëm, Saimir Tahiri, i cili nëpërmjet një statusi ne Facebook ka shkruar se fronti i së keqes ka shkuar përtej opozitës.