Përplasen keq këshilltarët e Osmanit dhe Thaçit

E publikuar: 09/05/2020 07:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltari i kryetares së Kuvendit, Faton Peci ka reaguar ndaj deklaratave të këshilltarit të presidentit, Adil Behramaj, i cili drejtoi akuza ndaj Vjosa Osmanit.Peci ka shkruar në Facebook se moral po shesin ata që po e vënë në rrezik Kosobën, për ta shpëtuar vendin.

“Moral për ligjshmëri e kushtetutshmëri po na shesin ata që po punojnë natë e ditë për t’i ikur drejtësisë, duke e vënë ne pazar edhe Kosoven për ta shpëtuar lëkurën e vet.Kosova vend i paradokseve”, ka shkruar ai.

Ndryshe, këshilltari i presidentit Thaçi, Adil Behramaj ka akuzuar Vjosa Osmanin për pabesi ndaj LDK-së.

Reagimi i plotë i Behramit:Vjosa Osmani garoi me sloganin “Beso”, por qytetarët nuk i besuan dhe humbi. Përkundër kësaj, LDK-ja vazhdoi t’i besonte. Pas zgjedhjeve ia besuan edhe pozitën e Kryetares së Kuvendit. Megjithatë, ajo si për ironi po vazhdon të mos besojë në partinë e saj. Me komentet që i paska dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, siç raportuan mediat, Vjosa Osmani zyrtarisht e paska përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje dhe jo partinë e saj. Ajo e paska kontestuar dekretin me të cilin bashkëpartiaku i saj, Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit si kandidat për kryeministër për ta formuar Qeverinë e re.

Në fakt, përkundër që është juriste, Vjosa Osmani nuk ka lidhje me kushtetutshmëri dhe këtë e ka dëshmuar shumë herë deri më sot. LDK-ja ka pësuar sa herë që asaj ia ka besuar “avokaturën”. Por, meqë këtë radhë qenka bërë avokate e Kurtit, paskan shpëtuar prej saj.Çdo parti ka konkurrencë të brendshme dhe politikanë ambiciozë. Por, asnjë parti nuk ka politikane si Vjosa Osmani, që konkurrencën e brendshme mes kolegëve e lufton duke i mbështetur konkurrentët e jashtëm të partisë së saj!Ajo më e përgjegjshme do të tregohej sikur t’i merrte parasysh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të bënte punën e saj si Kryetare e Kuvendit për t’i ndërmarrë nismat e nevojshme ligjore për menaxhimin e pandemisë, se ta ndihmonte zyrtarisht e publikisht shefin e vërtetë të saj, duke e tradhtuar pabesisht edhe partinë që e rriti dhe që aktualisht i takon!