Përmendja e Prishtinës në dosjen “Habilaj”, flet Policia e Kosovës

E publikuar: 19/10/2017 17:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hetimet ndaj grupit kriminal Habilaj është tema kryesore në Shqipëri pasi ky grup drejtohej nga kushëriri i Ish-Ministrit të Brendshëm Samir Tahiri.

Ndërkaq, me qindra përgjime të anëtarëve të grupit në fjalë u zbardhën nga mediat italiane.

Por, në një bisedë të dy anëtarëve nga ky grup Nezar Seiti dhe Maridian Sulaj përfshihej edhe Prishtina.

Albeu.com zbardh bisedën në të cilën njëri nga anëtarët e dyshuar thotë se do të shkojë në Prishtinë të marrë në një vend ose person 200 mijë euro pasi ky vend mbyllej në orën 14.

Ndërkaq, albeu.com ka pyetur Policinë e Kosovës nëse kjo e fundit është e përfshirë në hetimet që po zhvillon policia italiane e ajo shqiptare dhe a kanë dijeni në lidhje me këtë grup.

E megjithatë Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në rastin konkret nuk ka informacion konkret.

“Policia e Kosovës bazuar në procedurat e parapara ligjore trajton çdo informacion apo rast i cili ndërlidhet me punën dhe përgjegjësin policore në territorin e Republikës se Kosovës, mirëpo në rastin konkret nuk ka ndonjë informacion zyrtar.” thuhet në përgjigjen e policisë.

Po, Policia e Kosovës ka nënvizuar se do të ndërmarrë veprimet e duhura për çdo rast që ka dyshime për aktivitete kriminale.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet ku ka informacione apo veprime të dyshuara do të ndërmerr veprimet e saja konform autorizimeve ligjore që ka.” thuhet në deklaratën e policisë.

Dosja Habilaj tashmë është bërë dosje Vip në Shqipëri. Prokuroria e Krimeve të rënda në Shqipëri ka kërkuar zyrtarisht heqjen e mandatit për deputetin Samir Tahiri. E kjo iniciativë ka marrë mbështetje edhe nga kryeministri Edi Rama.

Albeu.com sjell bisedën e përkëthyer nga gjuha italiane:

Seiti: Dreqi ta hajë, duhet të shkoj edhe në Prishtinë sapo të zbres në Vlorë…

Sulaj: ..hee.. për atë..

(Flasin duke ulur zërin..)

Seiti:…nuk e arrij dot në kohë..sepse ai mbyllet në orën 14:00..nga ora 08:00 deri në 14:00…për shembull..nëse ti shkon se ke për të marrë 200 mijë euro..ai të thotë për sot kam bërë vetëm 100 mijë.

Sulaj: Janë preciz vlla

Seiti: Ai atje..në Prishtinë..ai i ka dorëzuar 200 mijë, por ky që bën transaksionin..ka fituar 14 mijë euro, 100%.

Sulaj: I merr ai?

Seiti: Por normal, ajo është puna e tij.

Sulaj: Po për këtë transaksion, merr vetëm nga ty apo edhe nga ai tjetri?

Seiti: Jo…jo..unë s’kam të bëj..unë marr lekët cash..kam bërë marrëveshjen që në Milano..për të marrë lekët unë shkoj në Prishtinë..sepse këtu nuk mund të marrësh lekë cash.

Sulaj: Po..

Seiti: Çfarë bën? Unë mund të shkoj direkt ..dhe të marr në një orë 140 mijë euro..

Sulaj: Janë shumë të organizuar ata..

Seiti: Nuk ka kështu..jo prit nesër..jo sa ke..merr lekët dhe kaq.

Seiti: Ti mos shih se si i marrim në paratë kështu..se paratë t’i marrin e t’i sekuestorojnë kështu sicc i marrim ne…

E megjithatë ende nuk dihet nëse vendi që do të marrë paratë është institucion shtetëror, financiar, biznes privat apo person tjetër i përfshirë në këtë grup të dyshuar kriminal.

Vlen të theksohet se shumicën e rasteve në aksionet e policisë droga e konfiskuar e ka pasur prejardhjen nga Shqipëria.