Përmbyllet Programi i Shkëmbimit të Nxënësve mes Kosovës dhe Shqipërisë

E publikuar: 27/04/2019 16:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka përmbyllur programin e shkëmbimit të gjimnazistëve mes Kosovës dhe Shqipërisë, të cilën e kishte organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë.

Në përmbylljen e këtij programi që kishte për qëllim njohjen e historisë dhe kulturës së të dyja vendeve, morën pjesë ministrja e Arsimit të Shqipërisë Besa Shahini dhe zëvendësministri i Arsimit të Kosovës, Izet Sahiti.

Gjatë fjalimit të saj Ministrja e Arsimit të Shqipërisë Besa Shahini, tha se qëllimi kryesor i këtij programi ishte shkëmbimi i kulturave në mes të dy vendeve.

“Jam e lumtur që jam sot në Prizren me nxënës nga Shqipëria dhe Kosova, prind dashamirës dhe bujar që i kanë pritë nxënësit nga Kosova në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Kosovë. Qëllimi kryesor i këtij programi ishte që të njohim sa më mirë qytetet, shkollat e njëri tjetrit dhe në këtë formë të kuptojmë më mirë se si jetohet në anën tjetër të kufirit. Çfarë bënë një i ri në Shkodër? Si jeton një i ri në Suharekë? Unë kam shkuar në Shqipëri për herë të parë në vitin 2004 dhe deri në vitin 2014 kam shkuar në secilin vend të Shqipërisë dhe gjate kësaj unë e kam pa Shqipërinë sot dhe kam arritur ta dua Shqipërinë ashtu si është sot dhe ky ishte qëllimi i këtij programi, që ta duam njëri tjetrin ashtu si jemi sot dhe jo ti njohim si ide që e kemi pasur për shqiptarët që i kemi mësuar nga librat e historisë. “, tha Shahini, raporton Ekonomia Online.
Shahini më tutje shtoi se shqiptarët e të dyja vendeve kanë paragjykime në mes vete dhe kjo nuk duhet të ndodhë më.

“E kemi një problem ne shqiptarët se kur dalim jashtë, imazhin nuk e kemi atë si çfarë e meritojmë edhe po e shoh se atë imazh e kemi edhe ne për njeri tjetrin dhe i referohemi njeri tjetrit me paragjykime dhe kjo nuk duhet të ndodhë më. Duhet të krijojmë shoqëri. Jemi shqiptarë dhe shqip folës dhe e kemi të domosdoshme në shumë fusha dhe jam e lumtur që ministrat që kanë ardhur para meje që kamë bërë korikulën pra program i njëjtë mes dy shteteve dhe ideja është që të zgjerojmë edhe në fusha të reja.“, tha ajo.

Nga ana tjetër zëvendës ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës Izet Sahiti, duke thënë se ky program ka munguar me vite tjera, deklaroi se ky program duhet të vazhdojë edhe në vitet tjera pasi që ne jemi një komb dhe një popull.

“Kam nderin që jam në mesin e juaj, me vite të tëra ky program na ka munguar dhe tashmë jam i lumtur që ju po e gëzoni. Iniciativa e shkëmbimit të nxënësve e cila tashmë është realizuar me sukses dhe është shtyrje për të vazhduar edhe në vitet e tjera, pasi që të rinjtë tonë dhe vet ne kemi nevojë të kemi më shumë lidhje vëllazërore me të cilët fatkeqësisht na ndau historia në kohët e gjata.”deklaroi ai./EO/