Përmbledhje e vizitës së Ilir Latfit në Tiranë – Jeta dhe karriera e yllit të vetëm shqiptar në UFC

E publikuar: 01/05/2018 20:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Interesimi për sportin e MMA-së po rritet dita e ditës në trojet shqiptare dhe e diela e fundit e prillit ishte një ditë e paharruar për tifozët e këtij sporti.

Ylli shqiptar i UFC-së, Ilir Latifi, vizitoi Shqipërinë, ku për më shumë se një orë bëri fotografi për të gjithë në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.

Telegrafi ishte media e vetme nga Kosova që e përcolli nga afër këtë ngjarje dhe normalisht që kjo u prit mirë edhe nga vet Iliri dhe ekipi i tij. Me këtë rast, sportisti shqiptar shprehu dhe dëshirën për të mbajtur në vendin tonë një organizim të tillë.

Më poshtë keni në detaje arsyen e vizitës, rrjedhën e saj, historinë drejt UFC-së, por edhe planet e të ardhmes dhe shumë gjëra tjera që mund të mos i keni ditur për Latifin:

Vizita në Tiranë

Iliri erdhi në kryeqytetin e Shqipërisë për të promovuar sportin e MMA-së, ai erdhi në mbështetje nga bashkia e Tiranës, por edhe nga UFC Albania.

Interesimi për një takim me 34-vjeçarin ishte i madh, ai mbërriti në sheshin ‘Nënë Tereza’ dhe në sy ra thjeshtësia dhe përkushtimi i tij. Tani paramendojeni, për më shumë se një orë, brenda një minute ka bërë fotografi dhe një bisedë të shkurtër me së paku pesë njerëz dhe kjo ka vazhduar deri në fund.

Ai nuk refuzoi asnjërin dhe pranoi të largohej vetëm kur kishte plotësuar dëshirën e secilit.

Me këtë rast Iliri u shpreh i lumtur dhe falënderoi të gjithë për përkrahjen: “Ju përshëndes të gjithëve, është një kënaqësi shumë e madhe dhe ju falënderoj. Të shpresojmë që sa më shpejt të sjell titullin në Shqipëri dhe Kosovë”.

“Mesazhi për talentët shqiptarë të MMA-së? Duhet pasur vullnet, duhet të bësh sakrifica të mëdha në ushtrime dhe besim. Ashtu siç kam arritur unë, mundeni edhe ju”.

Ai që shtyri Ilirin të merret me MMA është vëllai dhe trajneri i tij, Arben Latifi, i cili për Telegrafin tregoi planet e Ilirit për vitin 2018.

“Qëllimi është titulli. Aktualisht titullit mbahet nga Daniel Cormier, besojmë dhe shpresojmë që brenda këtij viti të ndeshemi me atë, ky është qëllimi”, është shprehur Arbeni.

Historia e Ilir Latifi, gjërat që duhet të dini

Ai është shqiptari i vetëm që merr pjesë në UFC, në këtë organizatë merr pjesë si sportist i Suedisë, pasi është lindur dhe rritur nga shtetin skandinav, ashtu si vëllai i tij, Arbeni. Prejardhja e tij është nga Vushtrria, por ai dhe familja e tij nuk kanë harruar asnjëherë Kosovën, duke ardhur këtu çdo vit.

Edhe pse i rritur në Malmo, ai gjithmonë u ka treguar të tjerëve se është shqiptar, pasi qëllimi i tij është gjithmonë promovimi i Shqipërisë dhe Kosovës.

Iliri para se të futej në MMA, ishte një mundës dhe stërvitjet i ka filluar që nga mosha gjashtëvjeçare. Në mundje sukseset nuk kanë munguar, ai ishte dy herë kampion i Suedisë. Por, pasi ky sport nuk sillte të mira financiare, vendosi të futet në MMA në moshën 25-vjeçare.

Iliri renditet i katërti në kategorinë gjysmë të rëndë, por qëllimi i tij është të bëhet kampion.

Latifi numëron 20 ndeshje si profesionist, 14 i ka fituar bindshëm.

Kur flasim për sportin në Suedi mendja gjithmonë na shkon te Zlatan Ibrahimovici, por fakt interesant është se Iliri dhe Ibra janë rritur në një lagje dhe kanë shumë shokë të përbashkët dhe normalisht njihen në mes vete.

Në rrugëtimin për titull Iliri mund të përballet me shokun e tij të ngushtë, por të dytë kanë bërë një premtim

Shoku i tij i ngushtë është Alexander Gustafsson. Dyshja janë stërvitur së bashku në 15 vitet e fundit dhe një përballje mes tyre do ishte ngjarja e vitit në Suedi. Por, kjo nuk do të ndodhë.

Pasi, si Latifi ashtu edhe Gustafsson, ia kanë dhënë fjalën njëri-tjetrit që kurrë nuk do të luftojnë në mes veti. Do të ndërrojnë edhe kategorinë nëse është nevoja, njëri do të qëndrojë në peshat e lehta, tjetri do të ngjitet në ato të rënda. Kjo vetëm që ata të mos luftojnë mes vete.

Një fakt interesant që lidhet me emrin e Gustafsson është debutimi i Ilirit në UFC më 6 prill 2013.

Gustafsson u lëndua dhe Ilirit iu kërkua të luftojë ndaj Gegard Mousasi, e gjitha kjo vetëm katër ditë para fillimit të luftës. Por, që bota e UFC-së të njihej me shqiptarin, ai duhej të bënte një sakrificë të madhe. Brenda katër ditëve kishte rënën në peshë në mënyrë drastike, vetëm që të pranohej në kategorinë e peshave të lehta (kategorinë e mesme). Në fund Iliri kishte humbur, por ky ishte një rast që nuk duhej lëshuar.

Humbja e 12-të kilogramëve në katër ditë nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani në historinë e UFC-së dhe sot e kësaj dite flitet ende për këtë gjë.

Ndeshja e ardhshme

Me 22 korrik ndaj Glover Teixeiras. 38-vjeçari cilësohet si një kundërshtar i vështirë dhe arsyeja që do të ndeshet me atë është se braziliani renditet i treti në kategorinë e Ilirit (shqiptari kujtojmë është i katërti). Në vend të parë është kampioni Daniel Cormier, i dyti miku i tij, Alexander Gustafsson.

Në rast të fitores ndaj Teixeiras, Latifit do t’i hapet rruga për titull dhe dëshira e Ilirit është që meçi të ndodhë gjatë vitit 2018, pasi po kalon në formën më të mirë fizike.

Jeta e tij jashtë UFC-së dhe Tetëkëndëshit

Iliri është një tip i qetë, shumë i sjellshëm më të gjithë. Kjo është edhe arsyeja që ai nuk preferon të bëjë skena, sharje dhe debat të ashpër me kundërshtarët. Pasioni i tij është natyra dhe kafshët, ndërsa në të ardhmen kur do të pensionohet nga UFC, do të bëjë një spektakël rreth tyre.

Aktualisht nuk është në një lidhje dashurie, pasi dëshiron t’i përkushtohet 100 për qind UFC-së. /Telegrafi/

Dhe disa fotografi tjera nga vizita e Latifit në Tiranë