Përleshje në Bregun perëndimor

E publikuar: 08/12/2017 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qindra protestues palestinezë u përplasën me forcat izraelite të sigurisë në qytetet e Bregut perëndimorë, Hebron, Betlehem dhe Ramallah, pas lutjeve të së premtes në mesditë, në një demonstrim zemërimi ndaj vendimit të administratës së presidentit Donald Trump për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Protestuesit hodhën gurë mbi trupat izraelite që u përgjigjën me gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.

Në Rripin e Gazës, mijëra veta dolën në rrugë të premten për të kundërshtuar vendimin e presidentit Trump.

Mijëra palestinezë protestuan pranë xhamisë Al Aqsa në Jerusalem, një zonë e nxehtë në qytetin e shenjtë.

Palestinezët e shohin Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Vendimi i i presidentit Trump për ta njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, po ashtu ka nxitur zemërim në mbarë botën arabe dhe myslimane, si dhe i ka befasuar aleatët e Shteteve të Bashkuara.

Shumë vende të botës mendojnë prej një kohe të gjatë se statusi i qytetit duhet të vendoset nga negociatat e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, por zyrtarët palestinezë thanë se vendimi i zotit Trump i nxori jashtë loje Shtetet e Bashkuara si një ndërmjetës i paanshëm i bisedimeve të paqes.