Përjashtohen nga konkursi i bukurisë 12 devetë, përdorën botoks (Foto)

E publikuar: 24/01/2018 08:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë konkursit të përvitshëm të bukurisë që mbahet në Arabinë Saudite, janë përjashtuar nga gara 12 deve, pasi pronarët e tyre raportohet se janë kapur duke u bërë botoks për t’u bërë më të bukura.

Siç raporton Reuters, devetë po merrnin pjesë në garën e përvitshme, ku pronarët e tyre u zbuluan se u kishin bërë botoks me qëllim që të duken më të bukura dhe të kenë më shumë gjasa për fitore, transmeton Telegrafi.

Ky konkurs i bukurisë është pjesë e një festivali njëmujor që mbahet në Rijad të Arabisë Saudite.

“Devet janë simbol i Arabisë Saudite. Ato gjithmonë kanë përmbushur kërkesat tona, dhe tani me këtë konkurs tentojmë t’i shpërblejmë”, ka deklaruar kreu i jurisë Fawzan al-Madi për Reuters.

Ndërkaq shuma e majme e parave për çmimin kryesor në garën për devenë më të bukur, është njëri nga faktorët që shtynë pronarët e tyre të tentojnë të mashtrojnë në forma të ndryshme. Raportohet se çmimi kryesor sillet rreth 58 mijë dollarë.

Sipas rregullave të parapara ndalohet çdo lloj “e modifikimit” të deveve me qëllim që të duken më të bukura.

“Deveve u ndalohet përdorimi i drogave, fryrja e buzëve, të rruhen, lyejnë qimet në çfarëdo pjese të trupit”, thuhet ndër tjera në rregullat e parapara.

Gjatë këtij viti numri i vizitorëve që kanë udhëtuar nga e mbarë bota për të ndjekur nga afër këtë garë ka shënuar numër rekord – prej 300 mijë personave. /Telegrafi/