Perisic: Derbi special, shpresojmë të bëjmë mirë ndaj Napolit

E publikuar: 16/10/2017 08:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ivan Perisic e ka shijuar derbin ‘special’ ndaj Milanit dhe thotë se është i gatshëm për Napolin.

Mauro Icardi vendosi gjithçka me një het-trik të cilin e kompletoi në minutat e fundit, kurse për kuqezinjtë shënuan Suso dhe Jack Bonaventura.

“Një derbi është gjithmonë special dhe ta fitosh në minutën e fundit bëhet edhe më shumë”, ka thënë Perisic për InterChannel.

“Falënderoj fansat dhe shpresoj që të jenë gjithmonë në anën tonë, ashtu si sonte. Kemi vuajtur pak në pjesën e dytë, por ishte një paraqitje e mirë pavarësisht atyre gabimeve të vogla”.

“Jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë kështu, duke tentuar të përmirësohemi. Mund të themi se tashmë luajmë futboll më të mirë se në sezonin e kaluar, por ende ka shumë punë për të bërë”.

Inter janë në vendin e dytë me vetëm dy pikë më pak se liderët Napoli me të cilët do të përballën vikendin e ardhshëm.

“Do të jetë një avantazh për ne pushimi në fundjavë pasi nuk kemi obligime evropiane. Shpresojmë të bëjmë mirë në Napoli, ata janë skuadra më e mirë në Itali për momentin, por ne jemi Interi”, ka shtuar kroati.

Vlen të theksohet se Perisic asistoi te goli i dytë i Icardit dhe se ky ishte asistimi i tij i 13 drejt argjentinasit që kur luajnë së bashku. /Telegrafi/