Përgjimi i prokurorisë, Zaev paralajmëron përgjegjësi

E publikuar: 02/12/2018 20:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë se do të ketë përgjegjësi për të gjithë personat që mund të jenë të përfshirë në skandalin me përgjimin e prokurorisë, por edhe të gjykatës themelore të Shkupit.

Skandali është publikuar të premten ndërsa kryeprokurori, Lubommir Jovevski tha se në rrjedhë janë hetimet për atë se kush dhe për çfarë qëllimesh ka përgjuar bisedat e bëra në godinën e Prokurorisë që nga shtatori i vitit 2016. Përgjimet e bisedave mes punonjësve të organit të akuzës janë regjistruar përmes centralit të telefonisë fikse në Prokurori.

Kryeministri Zaev tha të dielën se beson se bisedat e përgjuar nuk do të mund të keqpërdoret pasi materialet e regjistruara janë hetuar me kohë para se ato të nxirren në opinion.

Kreu i qeverisë tha se hetimi do të zbardh se kush qëndron pas këtij skandali duke paralajmëruar edhe përgjegjësi për shkelësit e ligjit.

Do të tregoj se kush ka dhënë urdhër për që në centralin telefonik të vendoset sistemi i përgjimit. Përgjime apo regjistrime në këto institucione bëhen por ato kanë të bëjnë me seancat gjyqësore apo ndonjë nevojë tjetër të për cilat vendosin organet përgjegjëse, por kjo që ka ndodhur duhet të hetohet, se kush ka lejuar një sistem të tillë. Ky është një alarm për mua dhe drejtuesit e tjerë që të kontrollojmë se ku tjetër ka sisteme të tilla”, ka deklaruar Zaev.

Për këtë skandal nga opozita kanë akuzuar qeverinë aktuale pasi sipas asaj sistemet e përgjimit janë vendosur në vitin 2016 kur Maqedonia qeverisej nga qeveri teknike ndërsa në kreu të dikasterit të brendshëm ishte Oliver Spasovski, Ministër aktual i Punëve të Brendshme nga LSDM-ja.

“Fajtorin duhet ta kërkojnë në radhët e tyre, sepse siç lexova, bisedat e para janë regjistruar diku në fillim të muajit shtator, ndërsa regjistrimi zgjat edhe sot e kësaj dite, periudhë kjo kur Ministër për Punë të Brendshme është Oliver Spasovski i cili duhet të jep dorëheqje të parevokueshme”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Por nga qeveria kanë hedhur poshtë akuzat duke theksuar se “mjeshtër të përgjimeve janë pikërisht drejtuesit e opozitës apo të pushtetit të kaluar, në kohë e të cilës edhe u zbulua afera më e madhe e përgjimit e pa dëgjuara ndonjëherë jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë”.

Maqedonia edhe gati katër vite nga publikimi i aferës së përgjimeve të publikuar në shkurt të vitit 2015 nga LSDM-ja e cila atë kohë ishte në opozitës, po përballet me pasojat e saj. Kjo aferë që zbuloi keqpërdorime të shumta kishte çuar Maqedoninë në krizë të rëndë politike e tensione të shumta, e deri në rënien e qeverisë së ish kryeministrit, Nikolla Gruevski.