Përgatitjet për takimin mes udhëheqësve të dy Koreve

E publikuar: 24/03/2018 20:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koreja e Veriut ka rënë dakord të takohet me Korenë e Jugut javën e ardhshme për të koordinuar përgatitjet logjistike dhe agjendën për një samit mes dy vendeve që do të mbahet në prill, thanë zyrtarë të Seulit të shtunën.

Secila palë do të dërgojë një ekip tre anëtarësh për bisedime në fshatin kufitar Panmunjom të enjten.

Ri Son Gwon, kryetar i komisionit të Koresë së Veriut për ribashkimin paqësor të vendit, do të udhëheqë delegacionin e Veriut. Homologu i tij Cho Myoung-gyon do të udhëheqë delegacionin e Jugut.

Samiti i prillit mes Presidentit të Koresë së Jugut, Jae-In dhe udhëheqësit të Koresë së Veriu, Kim Jong Un pason pjesëmarrjen e Phenianit në Lojërat Olimpike Dimërore që u zhvilluan në Korenë e Jugut në muajin shkurt. Ai gjithashtu mbahet përpara takimit të Presidentit amerikan Donald Trump me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un që pritet të zhvillohet deri në fund të majit. Synimi i këtij takimi pritet të jetë arritja e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund programit të Phenianit për prodhimin e armëve bërthamore.

Kim Jong Un ka rënë dakord të diskutojë për çështjen e dhënies fund të programit kërcënues të armëve bërthamore të vendit të tij, i cili në vitin e kaluar intensifikoi përpjekjet për prodhimin e një rakete balistike ndërkontinentale që mund të godas Shtetet e Bashkuara dhe për të ndaluar provat e mëtejshme bërthamore gjatë kohës së bisedimeve.

Vendimi i Presidentit Trump për të rënë dakord për bisedime me Phenianin befasoi aleatët dhe kundërshtarët. Administrata e Presidentit Trump, megjithatë, ka thënë se fushata e saj e “presionit maksimal” do të mbetet në fuqi deri në arritjen e një marrëveshje. Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për të intensifikuar sanksionet ekonomike ndaj Koresë së Veriut dhe ka theksuar se veprimi ushtarak është një opsion i mundshëm për t’i dhënë fund kërcënimit bërthamor në rritje.