Përfundon seanca, vendimi për pezullim të pensioneve të veteranëve merret me shkrim

E publikuar: 14/03/2019 13:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka përfunduar seanca për fyerjet e listave të veteranëve dhe vendimi për pezullimin e pensioneve pritet të merret nga Gjykata pas seancës, i cili do t’u shpërndahet palëve.

Vendimi i gjykatës për masën e përkohshme për pezullimin e pensioneve të 19 mijë veteranëve do të vendoset jashtë seancës.

Vendimi do të jetë me shkrim dhe do t’u shpërndahet palëve.

E, nëse vendimi do të jetë për pezullim të pensioneve atëherë organizata e Veteranëve të UÇK-së ka paralajmëruar protesta.

Në këtë seancë prokurori special, Enver Krasniqi, ka paraqitur kërkesën e tij që të pezullohet pagesa për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Sipas tij, kjo duhet të bëhet me arsyen se “si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet. Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi, raporton Gazeta Express.

“Përfitues nga buxheti i Kosovës janë personat e tretë dhe një situatë e tillë kur me veprimet e të pandehurve si rezultat i veprave penale dhe kur përfitojnë personat e tretë përcaktohet rregulli për të dëmtuarin, që në rastin konkret kemi dëmtimin e buxhetit të Kosovës. Andaj bazuar në këtë fakt se personat e tretë të paraqitur në aneksin 1 të kësaj aktakuze si pasojë e veprës penale të të pandehurve nga 2015 deri në gusht 2018 kanë përfituar më shumë mbi 88 milionë euro”, ka shtuar ndër të tjera Krasniqi.

Ndërsa, dhjetë të akuzuarit të pranishëm në seancë janë deklaruar si të pafajshëm. Madje ata kanë thënë se aktakuza është e pabazuar.