Përfundon seanca ndaj 23 të dyshuarve për dallavere me patentë shoferë, vendimi brenda 48 orëve

E publikuar: 07/07/2019 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka përfunduar seanca dëgjimore në rastin e të dyshuarve për dallavere me patentë shoferë.

Nuk është marrë ndonjë vendim i ri për masa ndaj tyre, ndërsa KTV mëson se një gjë e tillë do të ndodh brenda 48 orëve.

14:54
Shkon në pauzë seanca e 23 të akuzuarve në rastin e patentë shoferëve
Ka shkuar në pauzë seanca gjyqësore e 23 të arrestuarve në rastin e patentë shoferëve.

Pauza do të zgjasë 20 minuta, ndërkaq sot pritet të caktohet masa e paraburgimit për të dyshuarit, raporton KTV.

Një masë të tillë e ka kërkuar edhe prokurori i çështjes Ilaz Beqiri, derisa pritet që Gjykata të vendosë lidhur me të brenda ditës.

12:43
Prokuroria kërkon masën e paraburgimit për të arrestuarit në rastin e patentë shoferëve
Ka nisur seanca gjyqësore për 23 të arrestuarit në rastin e patentë shoferëve.

Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri, përmes telefonit për KTV-në, ka konfirmuar se ka kërkuar masën e paraburgimit për të arrestuarit, ndërkaq pritet që Gjykata të vendosë gjatë ditës.

Seanca e cila nisi 30 minuta me vonesë po vazhdon edhe tash.

23 të arrestuarit të premten janë paraqitur në Pallatin e Drejtësisë, ndërkaq sot brenda ndërtesa janë futur nga dera e bodrumit.

Seanca po vazhdon e mbyllur për mediat dhe publikun.

11:29
Sot mbahet seanca gjyqësore ndaj 23 të arrestuarve në rastin e patentë shoferëve
Sot do të mbahet seanca gjyqësore ndaj 23 të arrestuarve për rastin e patentë shoferëve.

Ndonëse seanca pritej të fillonte në orën 11:00, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, raporton KTV.

Para Pallatit të Drejtësisë, shihen të pranishëm edhe Njësia Speciale.

Kujtojmë se të premten Policia e Kosovës ka arrestuar 23 persona të dyshuar për ‘keqpërdorim të detyrës zyrtare’ dhe ‘marrje ryshfeti’.

Nga 23 të arrestuarit për patentë shoferë, 16 janë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, në mesin e tyre është edhe djali i dajës së kryeministrit Ramush Haradinaj.