Përfundoi takimi i liderëve, S’ka marrëveshje konkrete (FOTO/VIDEO)

E publikuar: 14/05/2015 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 

Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni kanë përfunduar takimin e përbashkët.

Ata janë ndarë pa ndonjë marrëveshje konkrete por vetëm me miratimin e një Deklarate të përbashkët përmes së cilës nënvizohet gatishmëria për të dialoguar dhe për protesta paqësore, informon INA.

I pari që ka dalë nga takimi ka qenë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për mediat.

Ndërsa, përfaqësuesit e BDI-së dhe PDSH-së, Artan Grubi dhe Luan Tresi kanë lexuar qëndrimin partiak të mbështetur në deklaratën e miratuar.

Më pas nga takimi ka dalur lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili para gazetarëve konfirmoi se takimi këtij formati do të vazhdojë ditën e hënë, ndërsa ai theksoi se palët nuk kanë përafruar qëndrimet. Zaev theksoi se opozita maqedonase mbetet në qëndrimin e saj për dialog politik dhe protesta paqësore, ashtu siç është miratuar Deklarata e Përbashkët, por sipas tij, për tejkalimin e krizës duhet formimi i një qeverie kalimtare dhe kërkesat e tjera.

“Vazhdojmë ne me rrugën tonë ‘E vërteta për Maqedoni”. Me këtë takim dhe protestën do ti japim shansin vendit për rrugën euroatlantike.
Do të kthehemi në Parlament nëse ka qeveri kalimtare. Protesta do të jetë protestë e madhe multietnike dhe sigurojë se do të jetë paqësore”, deklaroi ndër të tjera Zaev.

Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti po vazhdojnë takimin e tyre, por nuk jepen detaje. Në këtë takim nuk janë ambasadori i SHBA-ve, Jess Baily dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav.

Gruevski dhe Ahmeti pas disa minutave gjithashtu kanë mbyllur takimin. Gruevski para gazetarëve lexoi deklaratën e miratuar dhe u morëm vesh që t`i hapim rrugë dialogut dhe të vazhdojmë ditën e hënë.

I pyetur se përse nuk dorëheqje, ai theksoi se për këtë vendos populli.  (INA)



DEKLARATA E PERBASHKET

 

Në deklaratën e shkurtër të shpërndarë për mediat ja se çfarë thuhet:

“Në një javë të vështirë për shtetin u takuam për ti dhënë përkrahje të përbashkët vlerave të demokratike, përfshirë të drejtën e protestës dhe dënimin e dhunës, pavarësisht a është për qëllime kriminale apo politike.

Ne gjithashtu u pajtuam të vazhdojmë me dialogun për hir të avancimit të agjendës euroatlantike për të mirën e të gjithë qytetarëve”. (INA)

 

Vazhdon takimi i liderëve, Ahmeti dhe Thaçi shihen bashkë

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi kanë biseduar ndaras gjatë takimit të liderëve të partive në Maqedoni.

Ata kanë qëndruar bashkë dhe kanë biseduar në tarracën e restorantit të Klubit të Deputetëve në Shkup, ku po zhvillohet takimi i liderëve të katër partive kryesore VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH.

Derisa Ahmeti dhe Thaçi po qëndrojnë bashkërisht, dy partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM me ekipet e tyre partiake ndaras kanë biseduaragjendat dhe kërkesat e tyre lidhur me negociatat që po zhvillohen me ndërmjetësimin e ambasadorëve Baily dhe Orav.

Në klubin e deputetëve po qëndrojnë edhe deputetë të dy partive shqiptare.

Ndërkohë, edhe pas kësaj pause të shkurtër katër liderët kanë vazhduar takimin e tyre.

Ambasadori amerikan Baily nuk ka lëvizur nga tryeza e bisedimeve.

Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov i ka thënë gazetarëve se nuk ka lëvizje të qëndrimeve mes palëve. (INA)

 

Takimi pritet të mbyllet me Deklaratë për zgjidhje

Takimi i liderëve të katër partive kryesore politike në Maqedoni pritet të mbyllet me nënshkrimin e një Deklarate të përbashkët.

Burime partiake për INA theksojnë se me këtë deklaratë të gjitha palët politike angazhohen për protesta paqësore dhe zgjidhjen e krizës politike përmes rrugës institucionale.

Në këtë takim po marrin pjesë kryetari i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Në takim janë edhe ambasadori amerikan Jess Baily dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav.

Në kuadër të debatit në Klubin e deputetëve në Shkup ku kanë nisur negociatat tashmë janë bashkuar edhe grupet e deputetëve të këtyre partive politike.

Por nga ana tjetër, një nga çështjet kryesore që po mbretërojnë në këtë debat është kërkesa për kthimin e opozitës maqedonase në Parlament.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka kërkuar që të përmbushen kërkesat e saj. (INA)

 

Takimi i liderëve në Shkup për tejkalimin e krizës

Në këtë takim do të jenë Nikola Gruevski nga VMRO-DPMNE, Ali Ahmeti nga BDI, Zoran Zaev nga LSDM dhe Menduh Thaçi nga PDSH.

Zaev  mbrëmë vonë ka pranuar që të merrë pjesë në këtë takim, vetëm pasi që është siguruar se do të jenë aty edhe ambasadori amerikan Jess Baily dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav.  Zaev kishte deklaruar se nuk merrë pjesë në takime të tilla pa përfaqësuesit ndërkombëtarë, për shkak të mundësisë së manipulimit dhe keqpërdorimit të tyre nga Nikola Gruevski.

Nga opozita maqedonase kanë theksuar se mbeten tek kërkesat për dorëheqjen e kësaj qeverie aktuale dhe formimin e një qeverie kalimtare, e cila nuk do të kishte si kryeministër Nikolla Gruevskin. (INA)