Përfaqësuesja e Kosovës U-19 mposhtet nga Lazio pas penalltive

E publikuar: 18/02/2019 20:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesja e Kosovës U19 është mposhtur pas ekzekutimit të penalltive nga moshatarët e tyre të klubit italian Lazio, pasi koha e rregullt përfundoi me barazim 2-2.

Djelmoshat e Kosovës U19 e ka zhvilluar sot (e hënë) ndeshjen e parë në kuadër të turneut “Roma Caput Mundi” kundër Lazios.

Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultat të barabartë 2:2 derisa fituesi i zbulua vetëm pas ekzekutimit të penalltive.

Pas 11 penalltive të goditura, fitores iu gëzuan futbollistët e skuadrës italiane, të cilët mposhtën Kosovën.

Lazio dy herë ishte në epërsi, por herën e parë shifrat i barazoi mesfushori i Prishtinës Qëndrim Zyba, derisa herën e dytë Albin Krasniqi.

Në këtë turne përzgjedhësi Ramiz Krasniqi ka udhëtuar vetëm me futbollistë nga klubet vendore.

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte që t’u japë hapësirën e nevojshme për t’i dëshmuar vlerat e tyre, por edhe për të fituar përvojë në turne të tilla ndërkombëtare.

Në bazë të rregullave të këtij turneu skuadra fituese arkëton 2 pikë, derisa ajo humbëse 1 pikë. /Telegrafi/