Përfaqësuesi ligjor i Art Motion: Vendimi i KPM-së absolut nul – pa mbështetje në asnjë dispozitë ligjore (VIDEO)

E publikuar: 19/09/2018 19:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi ligjor i kompanisë Art Motion, Gent Bekeri, ka thënë se vendimi i Këshillit të Pavarur të Mediave për të pezulluar transmetimin e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve në këtë platformë, është i padrejtë dhe pa asnjë bazë ligjore.

“Nuk ka asnjë bazë ligjore që kujt i referohet vendimi dhe Juridikisht është i mangët. Ky vendim si i tillë është juridikisht absolut nul sepse nuk ka mbështetje në asnjë dispozitë ligjore”, ka thënë Bekeri, njofton Klan Kosova.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se sot kanë dërguar ankesë në Bordin e Ankesave në KPM, në të cilin janë paraqitur të gjitha shkeljet që janë bërë me nxjerrjen e vendimit për moslejim të transmetimit.

“Sot kemi dorëzuar ankesën me të gjitha provat materiale që ky vendim është absolut nul”.

Sipas tij Art Motion ka vepruar tërësisht sipas ligjit.

“Absolut po. Art Motion ka marrëveshje tërësisht të ligjshme me Arena Sport. KPM është njoftuar me kohë për këtë të drejtë që kemi dhe nga ta është kërkuar që kësaj kontrate t’i bashkëngjiten edhe të drejtat tjera. Është plotësisht e ligjshme”.

“Vendimi është i çuditshëm dhe juridikisht skandaloz. Ne e kemi respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe kemi deponuar të gjitha kontratat lidhur me transmetimin e ngjarjeve sportive, që janë tërësisht të ligjshme dhe pa asnjë shkelje”.