Për viza, Kosova as që figuron në agjendën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE-së

E publikuar: 01/12/2018 10:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimi i Qeverisë për taksën 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina nuk mund të jetë pengesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, edhe pse Bashkimi Evropian ka bërë thirrje vazhdimisht për heqjen e kësaj takse.

Ministrja e Integrimit Evropiane, Dhurata Hoxha, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se kjo taksë nuk ka mundësi të ndikojë në mosliberalizimin e vizave.

Ajo tha se BE-ja që nga fillimi është shfaqur e padrejtë dhe kritikuese vetëm ndaj shtetit të Kosovës, por jo edhe të Serbisë, edhe pse është ngritur kjo çështje prapë nuk ka pasur asnjë reagim nga Brukseli siç reaguan ndaj Kosovës në vënien e taksës.

“Jo, janë procese tërësisht të ndara, edhe çështja e taksës, edhe e liberalizimit të vizave. Nga fillimi i procesit kanë qenë disa vende që kanë qenë hezituese, janë nga shtete të mëdha që janë hezituese që ende vazhdojnë të jenë, qoftë me taksë apo pa të, nuk është proces i ndërlidhur aspak, por ne çfarë po vërejmë është se BE-ja po është i zëshëm kur Kosova merr vendimin për taksa, ndërsa nuk ka qenë i zëshëm apo nuk e ka kritikuar Republikën e Serbisë kur vite me radhë qysh nga anëtarësimi i Kosovës në CEFTA ne kemi pas trajtim të pabarabartë, të padrejtë. Kemi kërkuar, kemi dërguar letra, e kemi ngritë këtë çështje në BE dhe asnjëherë nuk kemi parë ndonjë reagim zyrtar nga Brukseli për drejt Serbisë, ndërsa ne kur vendosim të mbrojmë ekonominë dhe prodhuesin tonë atëherë e shohim reagimin, duhet të ketë një sqarim të pozicioneve”, tha Hoxha për Ekonomia Online.

“Kemi reaguar tërë kohën, sepse ka pas barriera të ndryshme që u janë bërë mallrave të Kosovës, prodhimet e Kosovës janë trajtuar me standarde të vështira”, tha ajo.

Hoxha tha se disa shtete të BE-së po hezitojnë që kosovarëve t’u hiqen vizat, për shkak të politikave të tyre të brendshme dhe se vazhdimisht duhet lobuar edhe pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Është e njohur edhe për publikun që janë disa vende që po hezitojnë, por hezitimet e tyre nuk janë ndaj Kosovës, por për shkak të rrethanave të tyre të brendshme politike, lobimi ka ecur mirë në këto vende nga të cilat kemi marrë përkrahje, mirëpo ende duhet të vazhdohet ky lobim, ende duhet të komunikojmë me vende anëtare dhe t’u shpjegojmë atyre që Kosova nuk do ta keqpërdorë procesin e liberalizimit dhe ajo që është me rëndësi është që të bëhet e ditur që Kosova ka përfunduar detyrat e veta dhe kjo është konfirmuar shumë herë tanimë nga KE, Komiteti LIBE, PE”, tha Hoxha.

Hoxha tha se nuk ka ende informacione zyrtare, mirëpo në agjendën e publikuar për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së për datën 6 dhjetor, Kosova nuk figuron fare që është në rend dite për çështjen e liberalizimit të vizave, raporton EO.

“Nuk kemi marrë informata zyrtare që nuk do jetë apo do jetë, mirëpo çfarë kemi parë është se është publikuar agjenda e takimit të këshillit më 6 dhjetor, është e publikuar dhe aty nuk figuron liberalizimi apo pika e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës. Është me të vërtetë për keqardhje, sepse ne kemi përfunduar punët tona dhe tani i mbetet BE-së ta kryejë pjesën e vet të marrëveshjes. Marrëveshja ka qenë tërë kohën, ky proces është teknik po sa të plotësohen kriteret, ne më pastaj do liberalizojmë vizat për qytetarët e Kosovës dhe tani po e vërejmë një mungesë të vullnetit politik nga shtetet anëtare që të lëvizin përpara, ka mbetur vetëm hapi i fundit, tjerat publikimi në gazetën zyrtare, plotësim-ndryshimi i rregullores të gjitha këto janë procese teknike që nëse ka vullnet politik në shtete anëtare shumë shpejt mund të përfundojnë”, tha ajo.

Hoxha u shpreh e dëshpëruar me mungesën e vullnetit politik nga shtetet e BE-së ndaj lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Ajo tha se ka vende tjera që me më pak kritere kanë lëvizje të lirë, ndërsa Kosova ende është në pritje.

“Tani jemi në ditët e fundit, pra është me të vërtetë e pakuptimtë të shohim këtë mungesë vullneti nga BE-ja që të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës. Është plotësisht e pakuptimtë kur shohim se ka shtete të cilat me më pak kritere gëzojnë lëvizjen e lirë, ndërsa Kosova me aq shumë kritere dhe punë të madhe që kemi bërë viteve të fundit ende të mos ketë apo të mos jetë vullneti politik dhe ende trajtohet me standarde të dyfishta”.

“Ne kemi përfunduar detyrat tona, ne duhet të jemi edhe vetëkritikë, por jo në procesin e integrimit evropian. Në përgjithësi duhet të jemi vetëkritikë, në reforma, duhet të kemi shpejtësi më të madhe të reformave në shumë sektorë të ndryshëm, përfshirë sundimin e ligjit në këtë aspekt, por jo sa i përket liberalizimit të vizave, sepse 95 kriteret i kemi plotësuar dhe këtu nuk ka asnjë hapësirë për mëdyshje”.

Hoxha për Ekonomia Online tha se kjo mungesë e vullnetit politik nga vendet e BE-së është vazhdimësi e izolimit të qytetarëve dhe diskriminim ndaj kosovarëve.

“Kjo mungesë e vullnetit politik nga shtetet anëtare të njohin progresin e Kosovës dhe ta mundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës me të vërtetë është e pakuptimtë, e padrejtë dhe qartazi mund ta konsiderojmë edhe si diskriminim të qytetarëve të Kosovës dhe si një vazhdimësi e izolimit të qytetarëve të Kosovës. Ne bëjmë thirrje që vendet e BE-së sa më parë të marrin vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirë sa më shpejt”, tha Hoxha.

Ajo tha se rezoluta e fundit e BE-së e rikonfirmon prapë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e obliguara nga BE-ja dhe se përmes kësaj rezolute u është bërë thirrje vendeve anëtarë të votojnë pro heqjes së vizave të Kosovës.

“Ajo rezolutë patjetër që ka qenë në shumicën e tekstit. Ka pas fjalë përkrahëse në procesin e integrimit evropian për Republikën e Kosovës. Ajo që është shumë e rëndësishme në këtë rezolutë është bërë thirrje që vendet anëtare të kenë vullnetin politik dhe të votojnë në Këshill të Ministrave për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, ky ka qenë një mesazh shumë i fuqishëm”.

“Kjo rezolutë e ka rëndësinë sepse në atë tekst është thirrja që u bëhet 5 vendeve mosnjohëse ta njohin Kosovën. Ne kemi takime me disa nga këto vende, por në procesin e integrimit evropian disa nga këto vende siç janë Spanja apo Qiproja janë më penguese dhe po e ngadalëson procesin e integrimit të Kosovës. Në fazën që jemi shumë nga këto vende kanë thënë që në momentin që arrin njohja reciproke në mes Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës si dy shtete të pavarura, atëherë edhe ato do të lëvizin në qëndrimin e tyre drejt njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ne po vazhdojmë të komunikojmë me këto shtete, por patjetër që është pengesë shtesë në procesin integrues dhe fakti që kemi 5 vende mosnjohëse”./EkonomiaOnline