Për Thaçin edhe një lëndë në Kushtetuese, AAK-ja, NISMA dhe PSD-ja duan anëtarë në KQZ

E publikuar: 08/04/2019 19:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy partitë në pushtet, AAK-ja dhe NISMA janë bërë bashkë me partinë opozitare PSD, për të dorëzuar kërkesë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Këto tri parti po kërkojnë vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit të Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, raporton KTV.

Me mbështetjen e 30 deputetëve të Kuvendit, ata kanë kërkuar nga Kushtetuesja anulimin e vendimit të presidentit Hashim Thaçi me arsyetimin se atyre po u shkelen të drejtat kushtetuese si grupe parlamentare.

Sipas partive që kanë parashtruar kërkesën, presidenti është dashur t’i dekretojë emrat ashtu siç i kishte kërkuar në fillim .

Më 28 mars të këtij viti, presidenti i vendit dekretoi 8 anëtarë të rinj të KQZ-së me një vit vonesë.

Nga këta anëtarë, dy janë nga LDK-ja, dy nga Lëvizja Vetëvendosje dhe katër nga komunitetet jo shumicë.

Një anëtar është i PDK-së, por Ilir Gashi nuk kishte shkuar fare për dekretim te presidenti.

Ai nuk ka dashur të flasë për mospërfshirjen e PDK-së në kërkesën drejtuar Kushtetueses, por i ka thënë KTV-së se po presin këtë vendim dhe caktimin e anëtarit të dytë nga PAN-i.