Për Robert Elsie-n, me rastin e shkuarjes së tij në amshim

E publikuar: 06/10/2017 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vdekja e hershme e Robert Elsie-t, albanologut të huaj me gamë më të gjerë interesimesh në dekadat e fundit, na jep rastin të nderojmë jetën dhe veprën e tij në këtë takim përkujtimor, këtu në Prishtinë, Kosovë, vend që e deshi shumë dhe e afirmoi me kulturë.

Lindur në Vancouver të Kanadasë më 1950, Robert Elsie ka mbaruar studimet klasike dhe për linguistikë në Kanada më 1972. Ka bërë studime pasuniversitare në Berlin, Paris dhe Dublin, ndërsa ka doktoruar në Bon për linguistikë dhe studimet kelte në vitin 1978.

Pas kësaj kohe nis aventura e tij me shqipen. Në tridhjetë vjetët e fundit të jetës në fokus të tij ishte kultura, letërsia dhe historia shqiptare. Mbi gjashtëdhjetë libra të botuar, krahas artikujve të panumërt, pjesa më e madhe lidhur me studimet shqiptare. Vdiq më 2 tetor nga një sëmundje e rrallë e neuroneve motorike.

Kontaktin me shqipen e gjallë e ka nisur në fund të viteve shtatëdhjetë, në Shqipërinë absurde të diktaturës së Hoxhës (“Shqipëria në atë kohë ishte si Koreja e Veriut sot”, ka thënë Elsie së voni), ndërsa e ka vazhduar në Kosovë, në kohën e vlimeve kulturore e trazirave politike gjatë viteve tetëdhjetë e tutje; më shumë këtu, nga ardhja e tij pothuaj e përvitshme në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare. Në Seminar ka dhënë edhe vetë kontribute të vlefshme diturore.

Fillimisht Elsie përktheu dhe shkroi për letërsi shqipe, më vonë u mor me kulturën popullore, antropologji dhe histori. Përktheu letërsi shqipe në anglisht, por edhe në gjermanisht.

Ka përkthyer këngë kreshnikësh, ndërsa (bashkë me Janice Mathie-Heck-un) edhe epin kombëtar shqiptar, “Lahutën e Malcis” të Fishtës; përkthimi i tretë në një gjuhë botërore, pas italishtes dhe gjermanishtes. Ka redaktuar përkthimin gjermanisht të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”. “Lahutën” Elsie e quante kontributin e parë që i dha gjuha shqipe letërsisë botërore.

Shumë prej librave të tij, botuar fillimisht në anglisht, janë botuar edhe shqip në Prishtinë e Tiranë. Përveç publikut lexues të huaj, vepra e Eslie-t kishte ç’ti thoshte edhe lexuesit shqiptar. U bë pjesë e dijes sonë.

Botoi në vitet e fundit libra referencash të natyrës enciklopedike si “Fjalori Historik i Shqipërisë” dhe “Fjalori Historik i Kosovës”, në anglisht dhe në shqip. Ka botuar më herët “Histori të letërsisë shqipe” në anglisht, përkthyer më vonë edhe në shqip e polonisht.

Robert Elsie e qau jo një herë mungesën e përkthyesve letrarë nga shqipja në anglisht.

Faqja e tij e internetit www.albanianliterature.net përmban përzgjedhjen më të madhe të letërsisë shqipe në anglisht. Përkthimet janë punë e Elsie-t, punë e mallit për letërsinë shqipe. Punën e hallit, për të mbetur gjallë, e bëri si përkthyes e interpret për Qeverinë gjermane e institucione të tjera, por edhe te Tribunali Ndërkombëtar i Hagës. Kush ka përcjellë gjykimet atje kujton zërin e tij.

Robert Elsie ka shkruar recensione te revista e njohur “World Literature Today” e Universitetit të Oklahomas nga viti 1985 deri në vitin 2002. Pesë-gjashtë, nganjëherë edhe shtatë-tetë recensione në vit, për botime në shqip e në gjuhë të huaja të letërsisë shqipe. Te këto shkrime me karakter paraqitës, ai jepte edhe rriska të jetës shqiptare në Kosovë e Shqipëri, herë duke denoncuar shtetin diktatorial e dogmën e realizmit socialist shqiptar, herë duke afirmuar letërsinë e Kosovës dhe përpjekjet e shqiptarëve këtu për ekzistencë, për liri e demokraci përballë shtypjes e terrorit serb. Me këto shkrime ai bëhej pjesë edhe e diskutimeve për letërsi e kulturë shqiptare, me vlerësime e karakterizime me peshë, të vlefshme edhe sot.

Prozën shqipe e shihte më të zhvilluar në Shqipëri, ndërsa poezinë më të mirë dhe kritikën letrare më imagjinative në Kosovë. Qortone në një shkrim/recension Arshi Pipën pse te libri i tij i vitit 1991 “Contemporary Albanian Literature” (Letërsia bashkëkohore shqiptare) kishte shpërfillur gjysmën e letërsisë bashkëkohore shqipe te një libër me titull aq gjithëpërfshirës. Kosova ishte më perëndimore se Shqipëria, ka thënë Elsie para disa vitesh në një intervistë të gjatë për televizion, duke i bërë një anatomi shoqërisë shqiptare, me pëlqimet dhe mospëlqimet për aspekte të saj, por me dashuri të pakundshoqe për esencat shqiptare.

Nga titujt e librave të tij më pëlqen më së shumti “An Elusive Eagle Soars”, një antologji e poezisë moderne/bashkëkohore shqiptare, duke nxjerrë titullin nga poezia “Poradeci” e Lasgushit, më saktë nga vargu “Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë”. “An elusive eagle soars” si përkthim për “një shqiponjë-e arratisur fluturon” është fort i goditur, maestral. Poaq i bukur si titull përmbledhjeje poezie shqipe, botuar më 1993.

Robert Elsie-n e kam njohur tridhjetë vjet. Mund të them se kemi qenë miq. Më lini të kujtoj se Elsie pat ardhur enkas nga Gjermania në Londër në dhjetor të vitit 2009 për të marrë pjesë në ceremonitë përcjellëse pas dorëzimit të letrave kredenciale te Mbretëresha Elizabeta II, që kisha bërë unë, ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar. I gëzohej afirmimit të Kosovës në botë, si pjesëmarrës e dëshmitar, ky anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nga viti 2000.

Robert Elsie, që po e kujtojmë këtu në mes miqsh e dashamirësh, ka qenë njeri i dashur, punëtor i madh, qëmtues bukurish e të vërtetash shqiptare. Një institucion studimesh shqiptare me një punëtor të vetëm! Le të prehet në paqe!

(Fjalë e mbajtur në takimin përkujtimor për Robert Elsie-n që u mbajt më 6 tetor 2017 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”)