Për herë të parë pas 6 vitesh juria e ICT Awards në Prishtinë, nesër në Tiranë

E publikuar: 14/04/2018 23:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gara mbarëkombëtare në fushën e teknologjisë dhe informacionit, Albanian ICT Awards, po shkon drejt mbylljes së një tjetër viti të suksesshëm dhe me më pak se dy javë nga finalizimi i edicionit të gjashtë, e gjithë vëmendja e komunitetit dhe kandidatëve është drejtuar nga juria.

Për herë të parë nuk do të jenë vetëm përfaqësuesit e garës “në kërkim” të yjeve të teknologjisë, por edhe juria e ICT Awards e cila do tu gjendet pranë kandidatëve në Tiranë dhe Prishtinë.

Edicioni i këtij viti nisi rrugëtimin më 2 Shkurt në Tiranë, dhe popullariteti çdo vit në rritje i ICT Awards afirmon aspiratat e kësaj gare, atë të identifikimit dhe shpërblimit të shqiptarëve të suksesshëm në teknologji.

Ngjarja ICT Awards e cila konsiderohet tashmë si një ndër më të rëndësishmet në Shqipëri e Kosovë në fushën e ICT-së, ka arritur që të gjejë mbështetje të gjerë të mediave më të mëdha në vend, aktorëve më seriozë të fushës së biznesit, komunitetit e qeverisë, nderuar nga Kryeministri i Shqipërisë me Çmimin Bleta e Artë.

Të Premten, 11 anëtarët e jurisë kryesuar nga Anila Hoxha Tollukçi udhëtuan drejt Prishtinës në një darkë të përbashkët me organizatorët e garës, shtëpinë botuese ICTSmedia, dhe partnerë të tjerë ku nderoi me pjesëmarrjen një prej mbështetësve më të fuqishëm të ICT Awards, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Luka.

Takimi i parë i ICT Awards me kandidatët zuri vend të Shtunën në Kampusin e UBT-së në Prishtinë.  Secili prej aplikantëve pati shansin e artë, të rrëmbente sa më shumë vëmendjen e jurisë.

E nesërmja sjell takimin e radhës dhe fjalën e tyre e kanë kandidatët nga Shqipëria të cilët do mund të prezantojnë projektet e tyre në Tiranë. Prezantimet do të mbahen pranë Hotel Xheko Carlsberg.

M 2 Prill juria e mblodh për herë të parë dhe firmosi Deklaratën e Konfidencialitetit, u përzgjodh kryesia e jurisë, dhe u njoh me listën e aplikantëve.

Mbi 100 aplikime janë dërguar këtë vit përmes ictawards.org. Përfaqësimi i gjerë i cili kalon kufinjtë e Shqipërisë dhe Kosovës, me aplikantë nga Stambolli, Milanoja, Londra, Kalifornia, Dublini dhe Bilbaoja është një shembull i qartë i përmasave që kjo garë ka marrë.

27 Prill secila prej shtatë kategorive pret fituesin e saj: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, Femra në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe Siguri Kibernetike.

Sponsorët tradicionalë Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisen dhe Albvision vijojnë mbështetjen e tyre të pakushtëzuar ndaj ICT Awards. Një rrjet i gjerë partnerësh dhe mbështetësish janë përkrah kësaj nisme prej disa vitesh.

Për çdo informacion rreth garës, kategorive, kritereve të vlerësimit dhe zhvillimeve më të fundit rreth garës, të interesuarit ftohen të vizitojnë faqen zyrtare ictawards.org.

Rreth ICT Awards VI

Ky eveniment, unik për nga karakteri dhe dedikimi, ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar , udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, novatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së, puna e së cilëve përgjatë 2017-tës ka përmirësuar apo ndihmuar pozicionin e TIK-ut Shqiptar në rajon ose botë, si dhe ka kontribuuar drejt zgjerimit të sektorit biznesor të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Rreth ICTSmedia

ICTSmedia si një shtëpi botuese dhe lider në median e ndërlidhur me Teknologjinë e Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë (ICTS), kësaj radhe prezanton edicionin e 6-të vjetor kombëtar të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards VI” (ose “TIK Shpërblimet Shqiptare 6”).