Për 27 minuta shënon 52 pikë, Klay Thompson thyen edhe rekordin për tre pikë të Stephen Curryt

E publikuar: 30/10/2018 11:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Klay Thompson, i cili në të kaluarën kishte rezultate të “çmendura”, një të tillë e bëri edhe gjatë mbrëmjes së kaluar në NBA.

Kampioni i ligës më të fortë basketbollit në botë, Golden State Warriors realizoi edhe fitoren e shtatë duke e mposhtur kësaj radhe Chicago Bulls me rezultat 149-124.

E lojtari kryesor i fitores së luftëtarëve ishte basketbollisti amerikan, Thompson, i cili për 27 minutat e kaluara në parket, realizoi hiq më pak se 52 pikë.

Për më tepër lojtari theu edhe një rekord të kolegut, Stephen Curry, i cili njihet si snajperist i gjuajtjeve për tre pikë.

Tompson, i cili në fillim të sezonit pati statistika të dobëta (5 treshe nga 36 përpjekjeve), mbrëmë ka realizuar 14 tre pikësha nga 24 gjuajtje.

Në fakt, Thompson theu rekordin e vendosur dy vjet më parë nga ana e 30-vjeçarit, i cili kishte shënuar 13 treshe, gjersa Klay realizoi në këtë takim një më tepër.

“Kam ndjenja të përziera, në pjesën më të madhe ndihem mirë. Unë nuk do të arrija këtë pa ndihmën e bashkëlojtarëve. Në çerekun e tretë ata më ushqyen me topa. Jam me fat që luajtur me ta. Nuk kam bërë një fillim të mirë në ndeshjet e para të kampionatit, por e dija se në një moment do të kishte një “natë të madhe”, tha Thompson.

Ndryshe, ekipi i Klayt mban vendin e parë në Konferencën e Perëndimit me shtatë fitore dhe vetëm një humbje. /Telegrafi/