Pendarovski: Zhveshja nga identiteti i humb vlerën çdo anëtarësimi ndërkombëtar

E publikuar: 16/12/2020 19:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Maqedonia e Veriut është e gatshme të bisedojë me Bullgarinë për çështjet e hapura, por jo edhe për gjuhën dhe identitetin. Anëtarësimi në asnjë organizatë nuk do të kishte vlerë nëse kërkojnë që të heqim dorë nga ajo që jemi. Kështu ka deklaruar presidenti Stevo Pendarovski, në fjalimin vjetor të mërkurën para deputetëve.

“Ne absolutisht se jemi të gatshëm që të përballim argumentet për disa çështje kundërthënëse historike, për ndonjë ngjarje historike apo personalitet, por e drejta që të identifikohemi si maqedonas që flasim gjuhën maqedonase, ka qenë dhe do të jetë jashtë çdo debati të mundshëm. Konsideroj se nuk do të ketë asnjë vlerë anëtarësimi në cilëndo qoftë organizatë ndërkombëtare, nëse ne heqim dorë nga gjuha dhe identiteti”, ka theksuar Pendarovski.

Maqedonia e Veriut, ka thënë se ka bërë gjithçka në procesin e integrimit evropian, si në plotësimin e kritereve ashtu edhe në raportet me fqinjët. Pendarovski ka theksuar se për çështjet e ndjeshme, që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin, më nuk do të ketë as takime të liderëve pasi gjithçka do të zhvillohet në kuadër të institucioneve.

“Për mua është joserioze që në vitin 2020 të mblidhen liderët e partive politike relevante dhe solemnisht të nënshkruajnë deklaratë se ne jemi maqedonas që flasim gjuhën maqedonase. Jam thellë i bindur se askush nuk ka të drejtë që të bisedojë dhe negociojë për këto çështje. Vijat tona të kuqe janë përcaktuar nga ata që e bënë këtë shtet, në vitin 1945 përmes akteve tjera të njohura historike. Edhe raporti i shqiptarëve ndaj kësaj çështje edhe kur kanë qenë në pushtet dhe opozitë, kanë qenë i njëjtë. Ata në vazhdimësi kanë mbështetur pozicionin tonë”, ka theksuar Pendarovski.

Maqedonia e Veriut, është shprehur presidenti Pendarovski, do të vazhdojë në rrugët drejt Bashkimit Evropian pasi, siç ka thënë, “çdo alternativë tjerë nënkupton kthim pas, varfërim dhe pa pa perspektivë”.

Fjalimi i presidentit nga deputetët e opozitës u ndoq me një protestë. Ata dolën para foltores me disa pankarta në të cilat shkruhej “Identiteti po shitet, Stevo hesht” dhe “Nuk je Presidenti im”.

Opozita maqedonase ka kritikuar politikat e deritanishme të qeverisë në raport me Bullgarinë, ndërsa ka paralajmëruar se çdo marrëveshje që sipas saj do të ishte në dëm të interesave kombëtare e shtetërore, do të anulohet në momentin që VMRO DPMNE-ja do të vijë në pushtet.

“Nëse dikush e hap debatin për temën e antropologjisë së popullit maqedonas, rishikimin e historisë rreth okupimit fashist, për identitetin e popullit maqedonas, këtu më nuk do të ketë bisedime, atëherë do të hiqet dorë nga marrëveshja, kjo marrëveshje dypalëshe nuk do të kishte vlerë dhe për ne nuk do të kishte asnjë efekt juridik. Do të ishte e padrejtë dhe aspak korrekte që diçka e tillë të kishte vlerë”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Bullgarisë kanë vazhduar me retorikën e tyre të akuzave ndaj Maqedonisë së Veriut duke e akuzuar për, siç thonë,nxitje të urrejtjes ndaj gjithë asaj që ka të bëjë me bullgarët.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, ka thënë së fundi se “zyrtarët në Shkup në vend se në intervista, të fokusohen në kornizën negociuese dhe në një protokoll që do t’i shtohet Marrëveshjes së 2017-s”.

Bullgaria e ka bllokuar kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në duke e kushtëzuar me plotësimin e kërkesave të saj që kanë të bëjnë me emrin e shtetit, gjuhën, identitetin, që sipas saj kanë “rrënjë bullgare”, pastaj me disa personalitete dhe ngjarje nga e kaluara, të cilat pretendon se i takojnë historisë bullgare.