Pendarovski: S’ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme

E publikuar: 16/03/2020 21:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Maqedonisë së Veriut ka diskutuar gjendjen lidhur me koronavirusin por ka konstatuar se për momentin nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së krizës apo gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e vendin. Presidenti Stevo Pendarovski ka thënë se në rast nevoje mund të shpallet gjendje krize në rajone të caktuar, siç është aktualisht në Dibër dhe Zhupë, por jo edhe në gjithë vendin.

Pas takimit të Këshillit, kreu i shtetit tha se institucionet janë duke bërë gjithçka për tu përballur me gjendjen ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë të gjitha masat dhe të mos udhëtojnë pa nevojë. Ai gjithashtu u bëri thirrje atyre qytetarëve të Republikës së Maqedonisë që punojnë jashtë vendit që të mos kthehen në vendin e tyre pa ndonjë nevojë.

Presidenti tha se të martën do të pres në takim partitë për të diskutuar për zgjedhjen që sipas tij duhet të shtyhen.

Paraprakisht, edhe partitë politike në pushtet dhe opozitë janë deklaruar mbi nevojën për shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të parapara të mbahen më 12 prill. Kërkesa e tyre ka ardhur për shkak të gjendjen me koronavirusin që ka përfshirë edhe këtë vend, më 12 të infektuar dhe dy qytetet të izoluara.

Shtyrja e zgjedhjeve dhe caktimi i datës së re duhet të vendoset në takimin e liderëve të partive politike dhe më pas të votohet nga Kuvendi, që tashmë është i shpërndarë.

Fillimisht kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve e paraqiti lideri i opozitës, Hristijan Mickovski.

“Të gjitha rekomandimet e organizatave të brendshme dhe botërore janë se përgjigja më e mirë për përballje me virusin korona është shmangia e aktiviteteve politike. gjedhjet mund të hapin vatra zjarri të korona virusit. Paramendojeni ditën e zgjedhjeve kur në një hapësirë do të jenë anëtarët e këshillave zgjedhor. Nuk ka asnjë arsye të shëndoshë, njerëzore, racionale apo pragmatike që të mos anulohen, pasi që për mua, por besoj edhe për të tjerët, lufta për pushtet me çmim të jetëve të qytetarëve, është e papranueshme”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Mickoski.

Më pas shtyrjen e zgjedhjeve e kërkoi edhe kryetari i LSDM-së në pushtet, Zoran Zaev

“Shëndeti dhe siguria e qytetarëve nuk kanë asnjë çmim. Të gjitha aktivitetet duhet të fokusohen në në mbrojtjen e qytetarëve. Unë në emër të LSDM-së do të kërkoj organizimi e takimit të liderëve me kryetarët e partive politike në të cilën do të diskutohet për anulimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Zaev.

Përmes një njoftimi me shkrim është prononcuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Zgjedhjet dhe fushata janë çështja e fundit në radhën dhe agjendën e prioriteteve tona, për arsye se të gjitha kapacitetet tona njerëzore, intelektuale, institucionale i kemi vënë në shërbim të ngadhënjimit në betejën e përbashkët kundër virusit. Tash, neve na duhet fitore ndaj virusit e jo fitore në zgjedhje. Me zgjedhjet dhe fushatën do të merremi pasi ta mposhtim këtë kërcënim ndaj të gjithë neve dhe bashkë ju siguroj se do ta mposhtim”. thuhet në njoftimin e BDI-së.